Politike
“Lali, lali”/ Punonjësit e Bashkisë mblidhen sërish para SPAK-ut në pritje të vendimit të Veliajt
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2025/02/veliaj-15.jpg)
Punonjësit e Bashkisë së Tiranës dhe militantë të Partisë Socialiste janë mbledhur sërish para godinës së SPAK-ut, teksa brenda po mbahet seanca gjyqësore për rivlerësimin e masave të sigurisë për Erion Veliaj, bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa dhe 6 biznesmenët Elman Abule, Gentian Sula, Shkëlqim Fusha, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu.
Punonjësit e administratës kanë dalë aty me urdhër të drejtorëve të Bashkisë, siç u vu re dhe mesazhet e dërguara në grupe “Whats App-i”, të publikuara dhe në media.
Ata shprehen për mediat se do të qëndrojnë aty deri në dhënien e vendimit nga Gjykata për Erion Veliajn, teksa protesta është një lloj presioni që po i bëhet gjyqësorit.
Ndërkohë, prej dy ditësh, presion gjyqtarit dhe prokurorëve të dosjes së Erion Veliajt i është bërë edhe nga Edi Rama, i cili ka dalë publikisht në mbrojtje të kryebashkiakut, duke kërcënuar magjistratët.
Edhe gjatë seancës ka patur përplasje mes Erion Veliajt dhe prokurorit të SPAK Ols Dado, si dhe gjyqtarit Erjon Bani.
Nga hetimet ka rezultuar se Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa kishin ngritur një skemë korrupsioni për t’u pasuruar familjarisht me fondet e Bashkisë së Tiranës dhe lejet e ndërtimit të firmosura nga Veliaj si titullar i institucionit.
Biznesmenët Elman Abule, Gentian Sula, Shkëlqim Fusha, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu në këmbim të tenderave nga Bashkia e Tiranës dhe lejeve të ndërtimit, i ofronin Erion Veliajt, shuma monetare nëpërmjet blerjeve fiktive, biletave avioni, sponsorizimeve, OJF-ve të Ajola Xoxës, si dhe pasurive të paluajtshme, si disa vila në Qerret.
Erion Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste, si dhe për pastrim parash.
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2022/08/LogoWeb.2-e1644580268739.png)
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2023/12/OledroHot.gif)