Connect with us

Politike

Lapaj i prerë: S’mund të lejoj që vullneti i 64 mijë njerëzve të përfundojë në skuthllëk

Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka vijuar me tone kritike ndaj zhvillimeve brenda koalicionit, duke denoncuar sipas tij një skenar për të deformuar vullnetin e qytetarëve dhe për të shmangur hyrjen e tij në Kuvend.

“Nuk është thjesht diskutim për një mandat,” u shpreh Lapaj në një intervistë. “Qëllimi është që mandati të kalojë përmes dajës së Shabanit që ndodhet në vendin e nëntë në listë. Unë do të isha një zë që nuk do i bëja fresk atij parlamenti.”

Ai ngriti pikëpyetje mbi qëndrimin e Endrit Shabanit: “Nëse daja i Shabanit ka vepruar me kokën e tij, pse zoti Shabani është hedhur në mbrojtje të këtij veprimi? I lamë atij drejtimin e fushatës në Tiranë dhe patëm një nga rezultatet më të dobëta.”

Lapaj theksoi se çështja është më e thellë se thjesht përplasja për një vend në Kuvend. “Qëllimi është i qartë, të pengohet funksionimi i listës së hapur dhe të ndalet hyrja ime si model në parlament. Sepse kjo do të thotë rezistencë ndaj pushtetit,” tha ai.

 

 

Ai kritikoi edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mosreagimin ndaj kërkesave të dorëheqjes së disa kandidatëve: “Kanë kaluar mbi 30 ditë dhe ligji parashikon që nëse nuk ka vendim, kërkesa quhet e miratuar në heshtje.”

Lapaj shtoi gjithashtu se ka pasur përpjekje për ta përfshirë në marrëveshje politike: “M’u kërkua të bëhem pjesë e një koalicioni pro integrimit evropian që do t’i shitej BE-së si përfaqësues edhe i të rinjve. E kam refuzuar dy herë. Nuk kam pranuar të jem pjesë.”

Me tone të vendosura, Lapaj përfundoi se nuk ka ndërmend të tërhiqet: “Nuk do të lejoj që vullneti i 64 mijë qytetarëve të përfundojë në një skuthllëk politik.”

Advertisement