Politike
Lapaj: Ndihem i tradhtuar nga Endri Shabani, beteja jonë nuk do të jetë në Parlament

Kryetari i partisë politike Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, ka reaguar pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor që i dha mandatin Anila Dajkos.
Lapaj tha se ndihet i tradhtuar nga Endri Shabani, bashkëdrejtues i formacionit zgjedhor Nisma Shqipëria Bëhet, të cilin e cilësoi mik të tij prej 12 vitesh. “Shabani ka ngrënë bukë në shtëpinë time. Nuk e prisja këtë nga ai. Kjo ishte arsyeja pse ula vigjilencën time, sepse nuk më shkonte në mendje se një mik do vepronte kështu”, u shpreh Lapaj gjatë një interviste televizive.
Sipas Lapajt, qëllimi i lëvizjes së tij nuk ka qenë një mandat i vetëm, por hapja e listave dhe krijimi i garës së drejtë për qytetarët. “Nëse do të doja të shkoja në Parlament, e kisha shumë të thjeshtë. Unë vetë kam firmosur listën. Por beteja jonë ka qenë për listat e hapura, jo për karrige. Ne kemi dashur të hapim garën dhe ta bënim për qytetarët. Përfaqësojmë 80 mijë qytetarë që nuk kanë zë”, tha ai.
Ai e cilësoi vendimin një padrejtësi, por theksoi se kjo nuk e ndal.
“Beteja jonë nuk do të jetë në Parlament, por në rrugët e atdheut. ‘Shqipëria bëhet’ është një lëvizje model dhe angazhimi ynë do të jetë akoma më i fortë. Politika shqiptare na ka borxh 7 mandate,” u shpreh Lapaj.
Megjithatë, ai foli me respekt për deputeten e re. “Zonja Dajko është një zonjë e nderuar, madje nëna e një prej kandidatëve tanë. Problemi nuk është tek ajo, por tek sistemi dhe padrejtësia që iu bë qytetarëve tanë”.
Lapaj theksoi se ndryshimi i Kodit Zgjedhor është i pashmangshëm dhe se përpjekja e tij do të vazhdojë jashtë sallës së Kuvendit.

