Aktualitet
“Lav’iret e Korçës”/ Arrestohen dy vajzat që shantazhonin të miturat me video intime
Disa ditë pas denoncimeve të njëpasnjëshme nga adoleshentet në Korçë për një faqe online në Instagram, policia ka arritur të identifikojë përgjegjësit. Policia bën me dije se faqen anonime në Instagram e menaxhonin dy vajza. Dy vajzat pasi u identifikuan dhe u arrestuan për veprën penale “Pornografia me të mitur”.
Ato prej kohësh në faqen anonime në Instagram publikonin foto, video intime dhe të dhëna me fjalë denigruese për adoleshentët. Pas identifikimit të vajzave policia pritet të marrë masa për dy minoret. Vajza e identifikuar me inicialet P.M, mësohet se ka qenë administratorja e profilit “laviret e Korçës” në Instagram. Ndërsa vajza tjetër e identifikuar me inicialet E.P, ishte përgjegjëse për aplikacionin “Tellonym”, i lidhur me profilin e Instagramit.
“Operacioni policor “BOOMERANG” – Arrestimi i autoreve të bullizmit dhe shpërndarjes së përmbajtjeve të papërshtatshme në rrjetin social Instagram. Korçë, 7 shkurt 2025 – Në kuadër të një hetimi të thelluar dhe intensifikues, strukturat hetimore të Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “BOOMERANG”. Ky operacion ka ardhur pas një denoncimi për hapjen e një profili në rrjetin social Instagram, ku publikoheshin shkrime me natyrë bullizuese, denigruese, si dhe shpërndaheshin foto dhe video intime të vajzave të mitura, nxënëse të shkollave të ndryshme në qytetin e Korçës.
Fale hetimeve të thelluara të eksperteve te Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, si dhe bashkëpunimit të ngushtë me kompanitë ndërkombëtare Meta I.N.C dhe Google I.N.C, u arrit të siguroheshin provat e nevojshme në kohë të shpejtë, duke mundësuar vazhdimin e hetimeve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ky bashkëpunim ka qenë jetik në identifikimin dhe ndalimin e autorëve, si dhe në mbledhjen e provave që do të ndihmojnë në procesin e drejtësisë.
Nga hetimi intensiv, u arrit të identifikoheshin dhe arrestoheshin dy shtetase, për veprën penale “Pornografia me të mitur”, parashikuar nga neni 117/2 i Kodit Penal, të cilat ishin të përfshira në këtë veprimtari kriminale: • P.M, e cila ka qënë administratorja e profilit “laviret e Korçës” në Instagram. • E.P, e cila është identifikuar si person përgjegjës për aplikacionin “Tellonym”, i lidhur me profilin e Instagramit.
Pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Korçë ka nxjerrë urdhrin e ndalimit për këta shtetas në datën 07.02.2025. Ky operacion ka qenë një hap i rëndësishëm në luftën kundër krimeve kibernetike, dhe njëkohësisht një mesazh i fortë për të gjithë ata që përpiqen të shkelin ligjin dhe të dëmtojnë fëmijët dhe të rinjtë në mjedisin online. Strukturat tona të hetimit janë angazhuar vazhdimisht për të mbrojtur ata që janë më të pambrojtur dhe për të siguruar një mjedis të sigurt në internet,” thuhet në njoftim.
Disa vajza të cilave u janë publikuar të dhënat mësohet se kanë dëmtuar veten pasi iu është publikuar emri apo fotoja në Instagram. Faqja krahas publikimeve, videove dhe fotove iu shkruante këtyre vajzave duke ju kërkuar foto dhe video e duke i kërcënuar se në rast se nuk iu dërgojnë, do të publikojnë të tjera që i kanë siguruar në rrugë të ndryshme.