Connect with us

Shkrime

Le të dominojë Serbia në Ballkan/ Janusz Bugajski për The Geopost

“Megjithëse Ballkani Perëndimor nuk do të jetë në listën prioritare të një presidence të mundshme të Trump, politikat e tij izoluese dhe transaksionale mund të rrezikojnë paqen e brishtë të rajonit. Ndërsa Presidenti Biden i ka dhënë shumë terren Beogradit dhe e ka lejuar atë të shqetësojë fqinjët e tij, Trump ka edhe më shumë gjasa të pranojë rolin dominues të Serbisë dhe të zvogëlojë mbështetjen për sovranitetin e Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi” – keshtu ka deklaruar analisti dhe njohesi i zhvillimeve ne rajon, Janusz Bugajski

Sic u shpreh ai, “Gjatë mandatit të parë të, Shtëpia e Bardhë emëroi diplomatë me lidhje me Serbinë, veçanërisht Richard Grenell, i dërguari special për negociatat për paqen në Serbi dhe Kosovën. Marrëdhëniet e Trump me Beogradin që atëherë janë forcuar, pasi dhëndri i tij Jared Kushner po ndërton një kompleks hotelesh në qendër të Beogradit dhe do të mbështetet në një administratë miqësore të Vuçiqit për të garantuar investimet e tij. Nacionalistët serbë në mënyrë të qartë favorizojnë një fitore të Trump dhe Grenell është dhuruar me çmime nga qeveria serbe, e cila llogarit se ai do të ndihmojë në hartimin e politikës ballkanike për Trump”.

“Trump ka të ngjarë të favorizojë një marrëveshje me Beogradin duke u mundësuar komunave veriore të Kosovës t’i bashkohen Serbisë, ndërsa pretendon se ai e kishte zgjidhur përfundimisht konfliktin. Gjithashtu tërheqja e forcave amerikane nga Kosova nga ana e Trump mund të nxisë ndërhyrje ushtarake serbe për të pushtuar territorin. Kujtojme se një plan për ndarjen e Kosovës u propozua nga të dërguarit e Trump gjatë mandatit të tij të parë dhe kjo mund të bëhet një plan i madh për politikën e ardhshme ballkanike. Ndërsa zyrtarët e Trump duken të gatshëm t’i dorëzojnë Rusisë disa rajone të Ukrainës në këmbim të një armëpushimi, ata mund ta përdorin këtë si model për Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën. Nuk duhet nënvlerësuar gjithashtu naiviteti dhe mosbesimi i tyre në mospërfilljen e mënyrës sesi ndarja e Kosovës mund të provokojë konflikte ndëretnike, dëbime, ndryshime të detyruara të kufijve dhe luftëra të mëtejshme rajonale.

Në një skenar të tillë, hezitimi i Trump për të përdorur trupat amerikane do ta bënte situatën edhe më të paqëndrueshme dhe shkatërruese” – theksoi Bugajski

Ai u shpreh gjithashtu se “Edhe pse Uashingtoni ka shumë të ngjarë të mbajë ombrellën e tij bërthamore mbi Evropë, së bashku me bazat ajrore dhe flotën detare, forcat tokësore të mbetura do të evakuohen. Në fakt, Amerika nuk do të furnizojë më pjesën më të madhe të fuqisë luftarake në kontinent. Dhe kjo do të ketë implikime të mëdha për Ballkanin Perëndimor, ku anëtarët ose aspirantët e NATO-s mund të mos mbështeten më tek Uashingtoni në një kohë krize te mundshme si kjo tani. Kjo është veçanërisht e ashpër, pasi të gjitha shtetet e NATO-s në rajon shpenzojnë më pak se 2% për mbrojtjen dhe në këtë mënyrë do të përjashtoheshin nga kriteret e Trump për ofrimin e ndihmës ushtarake”

“Trump ka shumë të ngjarë të ndalojë çdo zgjerim të mëtejshëm të NATO-s, qoftë në rastin e Ukrainës, Gjeorgjisë, Bosnje-Hercegovinës apo Kosovës. Për më tepër, marrëdhëniet e tij me Brukselin do të gjenerojnë ndarje midis SHBA-së dhe BE-së për politikën ballkanike që mund të shfrytëzohet nga Moska dhe Beogradi. Vetë BE-ja ka edhe më pak gjasa të pranojë anëtarë të rinj nga rajoni nëse ata janë të përfshirë në rritje të konflikteve të brendshme dhe të jashtme për shkak të zbehjes së interesit dhe përfshirjes amerikane” – potencoi analisti i njohur……………………………..

“Përfaqësuesja e re e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme, Kaja Kallas, ish-kryeministrja e Estonisë, është një zë i fortë kundër Moskës dhe ka të ngjarë të përplaset me Departamentin e Shtetit Trump. Ajo do të ketë gjithashtu kundërshtarë në Gjermani dhe Francë të frikësuar nga përshkallëzimi i mosmarrëveshjeve me Moskën. Në thelb, Trump do të kërkojë t’ua lërë Evropën evropianëve, në mënyrë që Amerika të mos ketë më nevojë të paguajë apo të mbrojë kontinentin. Por pa një prani udhëheqëse ushtarake dhe diplomatike amerikane, BE-ja mund të rezultojë shumë e dobët dhe e përçarë për të frenuar ambiciet e Beogradit ose për të parandaluar spiralen e rajonit drejt një tjetër konfrontimi të armatosur. NATO pa SHBA-në mbetet një lojtar i përçarë gjeopolitik me aftësi të kufizuara ushtarake dhe kohezioni i saj do të testohet seriozisht në Ballkanin Perëndimor gjatë një presidence të dytë të Trump” – theksoi Bugajski

Advertisement