Aktualitet
Legalizimi i mbajtjes së armëve në shtëpi/ Spahiu: Krimi ka pushtet mbi shtetin
Juristi Kreshnik Spahiu hodhi idenë e mbajtjes së armëve me leje nga familjarët në bizneset në Shqipëri në kushtet kur policia dhe shteti duken të pamundur për të mbrojtur qytetarët nga krimi.
Gjatë një intervisteelevizive, Spahiu hedh këtë ide pas ngjarjes tragjike në Pogradec ku mbeti i vrarë Egli Proga. Sipas Spahiut, Pogradeci mbetet një qytet i qetë larg të qënit i kriminalizuar, por edhe aty ndodh një diçka e tillë dhe shteti dhe policia nuk munden ta mbrojnë individin.
Në shumë zona të Shqipërisë krimi ka pushtet mbi shtetin dhe individi është i pambrojtur. Në këto kushte sipas juristit, ashtu si në shumë shtete evropiane dhe në SHBA mund të lejohet arma për njerëz të ndershëm në shtëpi apo biznese për t’u vetëmbrojtur.
“Sipas informacioneve autori i veprës penale i përket një bande që terrorizon gjithë qytetin. Kjo ndodh në Pogradec që është niveli më i ulët i kriminalitetit. Kur edhe Pogradeci terrorizohet ç’mund të presim në Vlorë, Lezhë, Fier apo në Durrës? A mos ka ardhur koha që shteti të legalizojë armëmbajtjen me leje për të vetëmbrojtur në shtëpi dhe biznese. Ky është një qëndrim dhe analizë fatale kur shteti nuk e mbron popullin nga krimi atëherë njerëzit të mbrohen nga krimi dhe të vetë mbrohen. Në kushtet e vetëmbrojtjes.
Në shtetet evropiane njerëz të ndershëm në kushtet e ligjit iu lejohet mbajtja e armës në shtëpi dhe biznese. Çdo bëjnë qytetarët e thjeshtë kur shteti nuk i mbron dhe shteti hesht? Ka ardhur për tu debatuar kjo çështje. Por një përqindje shumë e madhe disponojnë armë në Shqipëri. Ekziston parimi për ta frenuar një fenomen duhet legalizuar. Ta mbajnë armën me leje, apo pa leje. Arma me leje të bën të përgjegjshëm. Të bën të kontrollueshëm nga shteti. Ka një numër serie. E përdor në kushtet e vetëmbrojtjes. Kjo duhet të vijë si pasojë e një momenti nihilist, kur të dalim në konkluzionin se shteti është më i dobët se krimi. Në disa zona krimi është më i fortë se shteti dhe policia. Është momenti i dritës së kuqe për të kuptuar që shoqëria shqiptare është në alarm”, thotë Spahiu.