Politike
Letër nga qelia, Meta i bindur: Shqiptarët do votojnë masivisht për mua dhe Partinë e Lirisë
Dua t’ju siguroj se nuk ndihem i dënuar, por ndihem si kurrë më parë në detyrë dhe lartësinë më të madhe të përgjegjësisë time qytetare, politike dhe atdhetare.
Musine Kokalari thoshte se lirinë e kërkojmë shpesh jashtë vetes, por në rradhë të parë liria është e brendshme dhe ju siguroj që unë gëzoj liri të plotë, jo vetëm për të qenë vetvetja këtu në qelinë Nr.5, në 12 m2, por mbi të gjitha për të qëndruar e luftuar për lirinë e të gjithë shqiptarëve që vetëm fizikisht nuk ndodhen në qeli të tilla, por që vetëm të lirë në vendin e tyre nuk ndihen.
Fakti që armiqtë e lirisë të të gjithë shqipëtarëve e jo vetëm të Ilir Metës u detyruan të inskenojnë një rrëmbim mafioz e të paprecedentë tregon dobësinë dhe dekompozimin e tyre total politik e moral dhe tmerrin që kanë nga prania aktive e Ilir Metës në jetën publike dhe ballafaqimet mediatike, si edhe shpresën e tyre të mjerë për të rrëmbyer Partinë e Lirisë dhe shndërruar atë në një fake- opozitë si shume 0.99 të reja që kanë shpikur këto kohë.
Situata ku jemi nuk ka qenë e paparashikueshme nga unë, përkundrazi.
Ndaj edhe thirra Konventën historike të 27 Prillit ku u bënë ndryshime rrënjësore në statut, duke çrrënjosur nepotizmin dhe krahinalizmin.
E sidomos duke miratuar një program të shkëlqyer, konkret e konciz atë të: 5 Prioriteteve për 4 milionë shqiptarë plus.
Dhe Partia e Lirisë duhet të vazhdojë me intensitet të shpalosë e argumentojë realizimin e 5 Prioriteteve.
Jam shumë i kënaqur që tani shoh që të gjithë flasin për rëndësinë e rritjes së pensioneve, por Partia e Lirisë ishte e para që e çimentoi si prioritet madhor, pasi nëpërkëmbja e tyre e qëllimshme nga “Rilindja” për 12 vjet, ka sjellë pasoja të tmerrshme sociale e sidomos shëndetësore për ta.
Po kështu programi ynë nis me ndalimin e shpopullimit si Prioritet i Parë dhe kulmon me shndërrimin e Shqipërisë në fuqi eksportuese në Rajonin tonë.
Njëkohësisht ky është mbi të gjitha një program tërësisht i financueshëm dhe i certifikuar nga shumë ekspertë të nivelit më të lartë të financave ku do të veçoja Prof. Petraq Milon, Sekretari i Partisë së Lirisë për Çështjet e Ekonomisë dhe të Financave.
Po kështu ne bazohemi te përvojat më të mira të vendeve të Rajonit tonë.
Ndërkohë është detyrë e lidershipit të PL të shumëfishojë forcat dhe të rrisë përqëndrimin për tua kthyer këtë maskaradë armiqve të zgjedhjeve të lira në bumerang.
Lidhur me kandidimin tim, si mund t’ju shkojë mendja se unë mund t’i vendos vetes kufizime në kundërshtim me Kushtetutën, aq më tepër që risitë më shtojnë adrenalinën.
Kur vendosa për themelimin e LSI, 2 ditë më parë nuk ishin të paktë ata që parashikonin se LSI do merrte 1-2 %.
Unë me shumë kënaqësi vendosa një “bast” historik duke kandiduar vetëm në mazhoritar (Skrapar) e duke mos e vendosur veten time të parin dhe fare në listën proporcionale të LSI.
Sigurisht që kjo kishte rrezik të lartë pasi LSI ishte në opozitë dhe e gjithë Qeveria dhe Kryeministri i asaj kohe gjithë tërbim u turrën drejt Skraparit ku unë vajta vetëm 2 herë gjatë fushatës.
Fitorja ishte gati me 2/3 e votave dhe pa u lodhur atje pasi ata njerëz e dinin shumë mirë se kush isha unë që u kisha shërbyer si deputet disa herë duke i mbajtur të gjitha premtimet e mia e mbi të gjitha përfaqësuar vlerat e tyre më të mira.
Edhe tani, jo vetëm Partia e Lirisë, por të gjithë shqipëtarët e dinë se unë jam rrëmbyer në mënyrë banditeske, në mënyrë që jo unë por ata të mos jetojnë të lirë, por të frikësuar e bullizuar nga një regjim që jo vetëm i vjedh çdo ditë, por edhe u kërkon ta duartrokasin në mënyrë që ata të mos e “pësojnë” si Ilir Meta.
Ndaj vota për Partinë e Lirisë dhe Ilir Metën do të jetë masive, sepse shqiptarët do votojnë për lirinë e tyre në rradhë të parë.