Connect with us

Rajon

Letra fantazmë e Vuçiçit ka humbur rrugës

Presidenti serb Aleksander Vuçic, pak kohë më parë sulmoi Perëndimin, teksa tha se një shtet i rëndësishëm po ndërhyn në procesin zgjedhor në Serbi në mënyrën brutale dhe se autoritetet shtetërore po përgatisin një letër për këtë, të cilën, siç ka paralajmëruar ai, do ta dërgojë në mbarë botën deri në Vitin e Ri. Shumë dyshuan se ai i referohej Gjermanisë, pasi ai e bëri këtë akuzë në përgjigje të pyetjes së një gazetari për kritikat për zgjedhjet që vinin nga Gjermania. Viti i Ri ka kaluar dhe ende nuk ka asnjë letër. Po çfarë donte të arrinte Vuçiç?

Politikania serbe Jelica Miniç, tha se kjo sjellje e Vucic ishte si të thuash, përdorimi i sulmit për mbrojtje.

“Ishte përpjekje për të mbuluar parregullsitë dhe abuzimet zgjedhore me akuza se shërbimet e huaja perëndimore mbështesin opozitën në Serbi dhe kërcënojnë qeverinë. Kjo i drejtohet veçanërisht Gjermanisë, ku në pushtet është koalicioni i socialdemokratëve, të gjelbërve dhe liberalëve, i cili nuk është i prirur për të mbajtur anën e Vuçiv dhe opsionin e tij politik” – deklaroi Miniç

Shumë nga vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se nuk kishin parë askund diçka si ajo që ndodhi në Serbi gjatë dhe para zgjedhjeve, madje ata përdorën edhe fjalën”Tronditëse”. Kritika erdhën nga vëzhgues nga Parlamenti Evropian, deputetë të Bundestagut gjerman dhe përfaqësues të Këshillit të Evropës dhe Asamblea Parlamentare e OSBE-së. Të gjithë ata, disa më zëshëm, disa më pak, deklaruan se zgjedhjet në Serbi nuk mund të karakterizohen si të drejta dhe të lira.

Nënkryetarja e Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Branka Latinoviç tha se fakti që Vuçiç nuk dërgoi asnjë letër, nuk sjell habi.

“Kjo më kujton deklaratat e Vucic se Serbia do të kërkojë seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara lidhur me ngjarjet në Kosovë dhe verën dhe vjeshtën që shkoi, por asgjë nuk ndodhi.

Fakti që presidenti serb deri tani nuk ka treguar ndonjë letër, tregon se ajo ka qene një bllof për publikun. Ska asnjë letër dhe asgjë nuk do të ndodhë, duke pasur parasysh se Gjermania është çelësi i stabilitetit politik dhe ekonomik në Serbi” – deklaroi Latinoviç duke theksuar:

“Mesazhet që qeveria i dërgon me rastin e zgjedhjeve kanë të bëjnë edhe me atë që po ndodh në Kosovë, se Serbia po e zbaton Marrëveshjen e Ohrit. Në fakt po hidhet pluhur në sytë e opinionit. Në fakt ka disa angazhime që po kryhen në heshtje…” – potencoi ish diplomatja serbe.

Advertisement