Politike
LETRA/ Qeveria britanike- Berishës: As tranzit mos hajde në vendin tonë, jeni…
Britania e Madhe, referuar një dokumenti në gjuhën angleze, publikuar nga vetë Berisha, i thotë Sali Berishës që të mos përpiqet të udhëtojë drejt ishullit pasi nuk do të lejohet në zbatim të urdhrit të autoriteteve të atjeshme, për shpalljen e tij non grata.
“Qëllimi i kësaj letre është t’ju informojë se më 19 korrik 2022, pas shqyrtimit më të kujdesshëm, sekretari i Brendshëm urdhëroi personalisht që ju të përjashtoheni nga Mbretëria e Bashkuar për arsye kriminaliteti dhe korrupsioni mbi bazën se prania juaj në Britania e Madhe nuk konsiderohet e favorshme për të mirën publike si rezultat i vlerësimit se ju keni lidhje të qarta me grupet e krimit të organizuar dhe kriminelët që kanë paraqitur një kërcënim për sigurinë publike në Shqipëri dhe në MB dhe se jeni të gatshëm t’i përdorni këto lidhje për më tej ambiciet tuaja politike dhe vlerësimin se keni përdorur pozitat tuaja të zgjedhura për t’u përfshirë në korrupsion dhe sjellje kriminale për të pasuruar veten dhe rrethin tuaj të ngushtë, në veçanti ish-këshilltarin tuaj zgjedhor Damir Fazlliç, të cilin më pas e mbrojtët kur u shfaqën prova të kriminalitetit”, thotë letra.
“Vendimi u vërtetua nga sekretari i Brendshëm sipas seksionit 2C të Aktit të Komisionit Special të Apelimit të Emigracionit të vitit 1997. Efekti i kësaj është se çdo rishikim i përjashtimit tuaj, me aplikim, mund të ndërmerret nga Komisioni Special i Apelimit të Emigracionit (SIAC)”, vijon ajo.
Përsa i përket udhëtimit në Londër, Home Office i vë në dukje ish-kryeministrit shqiptar se nuk duhet të përpiqet të udhëtojë në Britaninë e Madhe as edhe tranzit, pasi transportuesi (kompania e fluturimit) do të njoftohet për urdhrin e ndalimit ndaj tij.
“Ju nuk duhet të përpiqeni të udhëtoni në Mbretërinë e Bashkuar pasi do t’ju refuzohet hyrja. Duke qenë se jeni përjashtuar nga Mbretëria e Bashkuar nga Sekretari i Shtetit, ju jeni dikush në lidhje me të cilin një transportuesi mund t’i refuzohet autoriteti për të udhëtuar në MB sipas paragrafit 14(e) të Skemës së Autoritetit për Mbajtjen 2021¹.
Britania e Madhe ka futur në listën e zezë Sali Berishën, duke e akuzuar për korrupsion dhe pasurimin familjar, ku si shembull sillet historia e Damir Fazlliç, i cili erdhi në Tiranë, pastroi para, mashtroi banka dhe pasuroi Argita dhe Jamarbër Malltezi. Në konferencën për shtyp, Sali Berisha mohon lidhjet me Fazlliç dhe madje sipas tij shpallja non grata është bërë duke pasur parasysh vetëm disa artikuj në disa media të financuara nga Sorosi. Sipas Berishës, mafia e Soros po shpif për fëmijët e tij.
Sipas Berishës, në raport është përdorur një artikull ku thuhet se premton se do të tregojë llogaritë bankarë dhe veprimtaritë e Argita Berishës. Por sipas rtij në artikull paraqitet veprimtaria e një studioje tjetër.
“Tani, akuzat për korrupsion. Akuzohem se kam pasuruar biznesmenin Damir Fazlliç, për faktin se me një vendim të vitit 2009, është zgjeruar parku energjetik i Porto-Romanos. Burimi, të gjitha mediat e Sorosit. Kjo është një akuzë qesharake që nuk nderon ata që e kanë ngritur. Ky park është ngritur nga PS dhe është zgjeruar në vitin 2009 për nevoja strategjike të vendit. Në brendi të këtyre 810 hektarëve, gjendeshin edhe 12 hektarë të blera te privati nga Fazlliç. Potenciali për zgjerimin e parkut kanë qenë të njohura dhe të publikuara në mediat ndërkombëtare.
Një akuzë tjetër qesharake për korrupsion, bazohet në pretendimin se në vitin 2006, gjatë një marrëveshje mes Albtelekom dhe një kompanie amerikane, Damir Fazliç, sipas një dokumenti pa vulë e firmë, paska kërkuar 1 milion dollarë për fushatë zgjedhore. Burimi si gjithnjë, BIRN, Balkan Insight të Sorosit. Home Office shkruan se në këtë kohë, Albtelekom ishte kompani shtetërore. Por kjo është një mashtrim. Në vitin 2006, Albtelekom ishte një kompani private në 76 përqind dhe investitori kishte të drejtën e parablerjes. Vetë autori i artikullit shkruan se nuk u gjet asnjë gjurmë e këtij transaksioni dhe Fazlliç mohon në mënyrë kategorike këtë kërkesë dhe këto fakte injorohen nga Home Office.
Fazlliç nuk ka dhënë kurrë një qindarkë për PD-në apo për Sali Berishën dhe rrethin e tij. Pasi kemi ikur nga pushteti, Fazliç investon miliona euro në Porto-Romano.
Mafia e Sorosit drejton të gjithë artilerinë ndaj fëmijëve të mi. Një akuzë ka të bëjë me përfshirjen e vajzës time, në një artikull të këtyre medieve të Sorosit. Titulli i artikullit premton se do të tregojë llogaritë bankarë dhe veprimtaritë e Argita Berishës. Paturpësisht, në artikull paraqitet veprimtaria e një studioje tjetër. Home Office i pranon se këto janë trillime.
Rasti tjetër është për një investitor pakistanez, bazuar në një artikull tjetër të BIRN dhe të mafies së Sorosit. Është e vërtetë që ky biznesmen ka qenë klient i studios së vajzës sime, por ajo ia ka bërë të qartë se do i ofronte konsultim për çdo procedurë private, pa asnjë lidhje me qeverinë. Ai i konfirmon se nuk i intereson partneriteti me qeverinë. Janë dy dëshmitarë në këtë takim, që e konfirmojnë këtë gjë. Më vonë ai kërkon proces PPP me qeverinë. Vajza ime e refuzon në mënyrë kategorikë këtë kërkesë, sepse ishte konflikt interesi.
Tani rasti Misha. Pirro Misha gënjen hapur ambasadorin amerikan duke i thënë se një mosmarrëveshje që kishte me një investitor italian, u zgjidh sapo ai kërkoi ndihmën e vajzës sime. Kjo histori nuk ka ndodhur kurrë, por ajo tregon strategjinë e përdorur nga Soros.