Connect with us

Bota

Letra sekrete që nisi gjithçka; si e ndryshoi përgjithmonë botën 6 gushti 1945 kur u hodh bomba atomike

Më 6 gusht 1945, brenda vetëm një minute, një qytet i tërë u zhduk nga faqja e dheut. Qielli mbi Hiroshimë atë mëngjes ishte i kthjellët. Njerëzit po dilnin nga shtëpitë, tregtarët po hapnin dyqanet, fëmijët po shkonin në shkollë. Dhe papritur, një diell që nuk ishte diell. Dritë, zjarr, heshtje… më pas ferr.

Me hedhjen e bombës së parë atomike në histori, njerëzimi hyri në një epokë të re, në një epokë ku shkatërrimi njerëzor i tejkalon fatkeqësitë natyrore, sëmundjet dhe edhe vetë luftërat.

Letra sekrete që nisi gjithçka

Gjithçka mori hovë në vitin 1939, kur fizikani Leo Szilard dhe Albert Einsteini i dërguan letër presidentit amerikan Franklin D. Roosevelt, duke e paralajmëruar se Gjermania naziste mund të ishte duke punuar në zhvillimin e një bombe atomike. Kjo letër ishte nxitje për “Manhattan”, një nga projektet më të fshehta ushtarake në histori, në të cilin morën pjesë mbi 130 mijë njerëz shumica pa e ditur se për çfarë po punonin.

Pak kush e di se Hiroshima nuk ishte zgjedhja e parë për sulmin. Fillimisht, zyrtarët amerikanë kishin marrë në konsideratë Kyoton atëherë qendra kulturore dhe shpirtërore e Japonisë. Por sekretari amerikan i Luftës, Henry Stimson, i cili e kishte vizituar Kyoton në rini dhe ishte magjepsur nga bukuria e saj arkitekturore, kërkoi personalisht që qyteti të hiqej nga lista e shënjestrave. Në vend të saj, u zgjodh Hiroshima  një qytet me rreth 350 mijë banorë dhe një bazë të madhe ushtarake.

Njerëzit që u zhdukën

Një nga simbolet më rrëqethëse të kësaj tragjedie janë të ashtuquajturat “hije të vdekjes”  silueta njerëzish që prisnin tramvajin, që rrinin ulur nëpër shkallë apo që ecin rrugës. Drita dhe nxehtësia ishin aq të fuqishme, sa trupat e tyre u avulluan plotësisht, duke lënë vetëm një hije të errët mbi beton ose mure. Këto hije ruhen ende sot në Muzeun e Parkut Memorial të Paqes në Hiroshima.

Në ditët pas sulmit, autoritetet japoneze ndaluan rreptësisht çdo raportim për natyrën e bombës. Fjala “atom” nuk duhej të përmendej. Të plagosurit u lanë në mëshirë të fatit, mjekët nuk po kuptonin djegiet e çuditshme dhe simptomat e rrezatimit, ndërsa gazetat shkruanin vetëm për “një armë të panjohur të armikut”. Vetëm më vonë, përmes gazetarëve perëndimorë si Wilfred Burchett, i cili ishte ndër të parët që hyri në qytet dhe raportoi për të dhe sëmundjet nga rrezatimi, bota filloi të kuptojë përmasat e asaj që kishte ndodhur.

Në kohën kur bomba “Little Boy” u hodh mbi Hiroshima, ushtria amerikane kishte tashmë në plan edhe nëntë bomba të tjera në faza të ndryshme ndërtimi. Qëllimi ishte të detyrohej Japonia të dorëzohej pa kushte. Vetëm tre ditë më vonë, bomba e dytë  “Fat Man”  goditi Nagasakin. Japonia u dorëzua më 15 gusht, por debati nëse bombat ishin të domosdoshme vazhdon edhe sot, shumë besojnë se Japonia ishte tashmë në prag të dorëzimit.

“Hibakusha”, të mbijetuarit e apokalipsit

Të mbijetuarit e shpërthimit quhen “hibakusha”, që do të thotë “person i prekur nga shpërthimi”. Më shumë se 650 mijë persona kanë marrë këtë status. Shumë prej tyre u diskriminuan nga shoqëria japoneze, nga frika e sëmundjeve infektive. Megjithatë, disa mbijetuan të dy bombat si Tsutomu Yamaguchi, i cili ishte në një udhëtim pune në Hiroshima më 6 gusht dhe u kthye në qytetin e tij, Nagasaki, pikërisht në kohë për të mbijetuar edhe shpërthimin e dytë.

Ironia më e madhe ndoshta qëndron në faktin se shumë nga shkencëtarët që ndihmuan në ndërtimin e bombës, më pas u kthyen në kundërshtarë të përdorimit të saj. Robert Oppenheimer, i njohur si “babai i bombës atomike”, u bë zë i fuqishëm për kontrollin e armëve bërthamore. Në një takim me presidentin amerikan Harry Truman, ai tha: “Ndjej sikur kam gjak në duar”. Truman thuhet se i është përgjigjur: “Mos u sill si fëmijë.”

Sot, Hiroshima është simbol i paqes

Në vendin ku shpërtheu bomba ndodhet sot Parku Memorial i Paqes, me përkrahje edhe nga ish-armiqtë. Qyteti është rindërtuar, por hijet e së kaluarës nuk janë zhdukur. Çdo vit, më 6 gusht, në orën 8:15 të mëngjesit, bien kambanat, lëshohen në lumë lejlekë prej letre të bardhë dhe njerëzit heshtin, duke u lutur që bota të mos e bëjë kurrë më atë gabim.

Në një botë ku nëntë shtete zotërojnë mbi 13 mijë koka bërthamore dhe tensionet politike janë gjithnjë e më të larta, përkujtimi i Hiroshimës nuk është vetëm akt nderimi – është paralajmërim.

Advertisement