DOSSIER
Libri i ish-hetuesit të diktaturës për treshen…
Nga Qemal Lame
Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”
Ramiz Alia thekson mendimin e tij për bashkëpunimin armiqësor midis Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut. Në komentin që bën për letrën, Ramiz Alia vazhdon arsyetimin e tij me zbulimin e bashkëpunimit midis Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut, mendime që u bënë bazë e akuzave politike dhe ligjore penale në hetuesi dhe në gjykatë. Për këtë qëllim Ramizi thekson se, duke pasur parasysh edhe zhvillimet e mëvonshme, sidomos pasi Kadri Hazbiu rezultoi se ishte bashkëpunëtor i Mehmet Shehut, duket se “këshillat” e fundit të Mehmetit synonin “ruajtjen” e Kadriut.
“Nuk dua të komentoj këto “rekomandime”, por duke pasur parasysh edhe zhvillimet e mëvonshme, sidomos pasi K. Hazbiu rezultoi se ishte bashkëpunëtor i M. Shehut, duket se “këshillat” e fundit të Mehmetit synonin “ruajtjen” e Kadriut. Kritikat e Mehmet Shehut shfrytëzohen edhe për t’u tërhequr vëmendja dhe referuar në qëndrimet liberale të Ramizit, që do të vlenin për të ruajtur figurën e tij edhe në të ardhmen. Ramiz Alia komenton akuzat që Mehmet Shehu ka bërë ndaj tij për etiketimet si liberal, revizionist potencial. Këto janë përdorur edhe në disa deklarime të tjera, ku ai hedh me kujdes edhe idenë se ka qenë në rrezik për jetën e tij në kohën e diskutimit të liberalizmit në art dhe në kulturë, të cilat ishin në funksionin e tij si sekretar i Komitetit Qendror.
“Për sa i përket personit tim, Shehu përsëriste me një etiketim të ri, akuzën e vjetër si liberal e drejtues i grupit që u dënua në plenumin IV të KQ të partisë. Përkrah emrit tim vinte edhe atë të F. Çamit, që e vlerësonte njëlloj, revizionist potencial?! Pa dyshim këto ishin fiksacionet e Mehmetit, por… pa dyshim edhe “intriga” e tij e fundit. Intriga e Mehmetit pretendohet nga Ramizi se nuk ka pasur efekte tek Enveri dhe letra është arkivuar.
“Letra e Mehmetit qysh atë ditë i është lexuar Byrosë Politike nga Enveri dhe është arkivuar. A pati ndonjë efekt kritika e Mehmetit tek Enveri? Nuk kam biseduar me Enverin konkretisht për këtë gjë, por po përmend këtu dy momente nga të cilat mund të konkludohet se Enveri nuk u ndikua nga ajo “intrigë”.
Ramiz Alia ka theksuar mendimin e tij, se letrën e ka shkruar Mehmet Shehu me dorën e tij, me vullnetin e tij të lirë. Për të sqaruar origjinalitetin dhe autorësinë për letrën, prej tij vihet në dukje se: “Edhe letra që ka lënë Mehmeti, e shkruar me dorën e tij, me vullnetin e tij të lirë (Mehmeti nuk ishte njeri që ndokush në çfarëdo situate mund t’i diktonte çfarë të shkruante) vërteton pa asnjë dyshim se Shehu ka kryer vetëvrasje.”
Analiza e shpjegimeve të Ramiz Alisë për Mehmet Shehun kërkon të njihen edhe dallimet kryesore midis këtyre dy rivalëve me pretendime si pasardhës të Enverit. Karakteret e personalitetit të tyre, temperamentet individuale dhe mënyra e reflektimit dhe qëndrimeve në marrëdhëniet me të tretët dhe me shoqërinë në tërësi kanë qenë të njohura. Dalloheshin dhe kishin krijuar figurat e tyre me qëndrimet, reagimet dhe komunikimet në format e shfaqjes së mendimit dhe të etikës diametralisht të kundërt në krahasim me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin. Alia njihej se nuk ishte tip konfliktual dhe u shmangej ballafaqimeve direkte, polemikave dhe diskutimeve të rëndësishme.
Ndërsa Shehu reagonte në çast, shumë impulsiv dhe këmbëngulte në mendimet e tij dhe polemikat për ide dhe qëndrime të caktuara, të cilat i mbronte me forcë dhe shpesh me zë të lartë që nënkuptonte shpesh frikë dhe në disa raste arrogancë prej tij. Alia nuk dallohej se kishte prirje për të imponuar mendimet e tij, reagonte me etikë, megjithëse shpesh me ironi, nuk preferonte të fyente apo ulte dinjitetin e tjetrit, nuk udhëhiqej nga ushtrimi i dhunës direkte ndaj personave apo grupeve masive. Megjithatë, duhet theksuar se kur mori pushtetin e forcoi tonin për ushtrimin e dhunës shtetërore dhe masave penale nga organet e drejtësisë.
Në ngjarjet që shoqëruan rënien e socializmit ai urdhëroi direkt dhunën masive ndaj demonstruesve, ngjarjeve në ambasadat e huaja, vrasjet në kufi etj. Në disa mbledhje të rëndësishme të forumeve të partisë kërkonte me çdo mjet që t‘u kundërvihej personave me ide që atij nuk i pëlqente t‘i dëgjonte të thuheshin për herë të parë nga të tjerët, të referohej në probleme të tjera të dorës së dytë, për të ulur vlerën e diskutimeve apo qëndrimeve të personave të caktuar etj. Shehu dihej se dallohej për përdorimin e forcës, të dhunës, të qëndrimeve të ashpra, shpesh të shfaqura edhe me arrogancë, të cilat njiheshin dhe toleroheshin nga të tjerët që e njihnin dhe bashkëpunonin që nga koha e Luftës Nacionalçlirimtare dhe gjatë kohës si ministër i Punëve të Brendshme dhe si kryeministër.
Në diskutimin e problemeve dhe marrjen e vendimeve vepronte energjikisht, këmbëngulte, dëshmonte pavarësi, kurajë, largpamësi etj. Ideologjikisht, të dy, Alia dhe Shehu, mbetën deri në fund të jetës së tyre komunistë me bindje staliniste. Në reformat e kontrolluara për fillimin e ndryshimit të sistemit socialist dhe lejimin e kalimit në parimet e ekonomisë së tregut dhe të orientimit për pranimin dhe futjen formale të normave ligjore dhe praktikës së ndërtimit dhe funksionimit të shtetit të së drejtës, Alia kërkonte mendime, përfshihej në diskutime, hidhte ide, por nuk insistonte dhe priste se si do të reagonte shumica.
Dëshironte të bëheshin ndryshime më shumë për arsye të politikës së jashtme, në interes të konsolidimit dhe ruajtjes së pozitave të tij, për të shmangur pasojat që ndodhën në vendet ish-socialiste me udhëheqësit e tyre politikë. Nuk vepronte me transparencë dhe linte me qëllim situata të pasqaruara dhe pa u marrë masa konkrete, për t‘iu shmangur deklarimeve direkt para popullit dhe opinionit publik ndërkombëtar. U kujdes me të gjitha mënyrat e fshehta për të ruajtur metodën e vjetër të ushtrimit të dhunës shtetërore nga Sigurimi i Shtetit, policia, hetuesia, prokuroria dhe gjykata etj. Shehu me njohuritë dhe përvojën e tij, megjithëse të shkurtër të jetesës në shtetet perëndimore, të kushteve të punës intensive dhe të nevojave që përballonte për problemet e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror në drejtimin e qeverisë për më shumë se 25 vjet, kishte prirje për teknologjinë e lartë perëndimore.
Por nuk insistonte dhe nuk arrinte të merrte vendime pa u pranuar dhe miratuar më parë nga udhëheqja e Partisë së Punës, për shkak se i shmangej çdo keqkuptimi të mundshëm, diskutimi parimor me ide të ndryshme apo që binin në kundërshtim ose mund të kuptoheshin se linin shkak për dyshime dhe konfrontime direkte me parimet e vendosura nga Enver Hoxha. Prandaj, për çdo ide dhe masë parimore që mund të linte shkak për dyshime dhe komente të pakontrolluara, këshillohej, merrte mendimin e Enverit dhe pastaj vendoste.
Inteligjenca e Shehut ka qenë shumë më e dallueshme, të cilën e pranonte shpesh edhe vetë Alia që nga koha që janë njohur dhe derisa vdiq. Aftësitë e Shehut tërhiqnin vëmendjen në opinionin e përgjithshëm shoqëror, por që nuk guxohej të flitej hapur. Ato vlerësoheshin edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Që në kohën e luftës janë bërë vlerësime më të mira për Shehun në raport me Hoxhën. Konkurrenca dhe pakënaqësia për aftësitë drejtuese shtetërore dhe partiake kanë qenë edhe një nga shkaqet që kanë ndikuar në marrjen e vendimit përfundimtar nga Hoxha për pasardhësin e tij pas vdekjes, duke e zëvendësuar atë me Alinë. Ramizi me aftësinë e tij arriti të fitojë besimin e Enverit, të ashpërsojë qëndrimin për eliminimin e Mehmetit dhe të realizojë qëllimin e tij si pasardhës.
Në ngjarjet që shoqëruan rënien e mitit të Mehmet Shehut dhe eliminimin e tij, si dhe në analizën e bërë nga Enver Hoxha në “Tablonë sinoptike …”, në gjithë kompleksin e ideimit dhe realizimit të saj me pasion, ashpërsi dhe deri me egërsi dhe paligjshmëri të intrigës politike për goditjen dhe eliminimin përfundimtar të grupit të fundit komplotist, evidentohen qartë edhe arsyet përse midis Mehmet Shehut dhe Ramiz Alisë ka pasur qëndrime të ndryshme, polemika, mosmarrëveshje të hershme dhe kundërvënie të hapura dhe të fshehta derisa ato morën artikulim të qartë kur u bë diferencimi i hapur dhe u mor vendimi nga vetë Enver Hoxha, i cili zgjodhi midis Shehut dhe Alisë dhe drejtoi masat drastike për eliminimin e Shehut që të kurorëzohej pa asnjë pengesë Alia.
Në luftën e ashpër për pushtetin kryesor, të zhvilluar kryesisht në mënyrë të fshehtë, duke u kamufluar qëllimet e vërteta në diskutimet dhe qëndrimet në veprimtarinë zyrtare të përditshme, të njohur dhe të hapur, sidomos në situatat e krijuara dhe në ngjarjet e ndodhura në vitin 1981, Alia arriti të bindë Hoxhën për vlerat e tij. Me mbështetjen direkte dhe demonstrative të hapur të Hoxhës dhe kushtet që u krijuan me diferencimin e qëndrimeve me Shehun, Alia u bë më i ashpër në qëndrimet dhe marrjen e masave kundër Shehut. Ramizi diti të reagojë me mjeshtëri duke shfrytëzuar situatën e inskenuar politike të krijuar pas fejesës së lejuar nga Mehmeti për djalin e tij.
Ndërsa Mehmeti, papritur u tregua më i butë seç pritej, nuk tregoi vendosmërinë dhe energjitë e njohura të reagimeve të tij, nuk vuri në dukje rreziqet dhe pasojat që ai priste ose mendonte se do të vinin. Nuk bëri asnjë përpjekje për përkrahje të hapur, apo për publikimin sado pak të mendimeve dhe qëndrimeve të tij. Çështjet diskutoheshin në dhomën e errët të selisë qendrore të diktaturës dhe ai iu nënshtrua gjendjes dhe pasojave që i kuptonte dhe i njihte mirë se do të vinin edhe për të, siç ishte vepruar edhe ndaj personave të tjerë të diskutuar dhe deklaruar armiq. Mehmeti kuptohet se nuk përdori aftësitë e tij, kaloi në pozicion kryesisht mbrojtës dhe linte të kuptohej që të mëshirohej e të mos ndëshkohej me rreptësi.
Qëndrimi i tij në zhvillimet dramatike të situatës së rënduar kundër tij lë të mendohet se Mehmeti kaloi në pasivitet, nuk tregoi durimin dhe shpresën e nevojshme për të luftuar dhe mbrojtur të ardhmen e tij e të familjes, për shkak se kuptoi dhe ndjeu realisht rrezikun e stuhisë së egërsisë së masave për eliminimin e tij, demonstrimin dhe kundërvënien e hapur në marrëdhëniet e përbashkëta dhe ato publike të distancimit, humbjes së besimit e të mbështetjes së Hoxhës. Mehmeti nuk ka pasur zgjidhje tjetër veç pritjes së ndëshkimit. Për kushtet e asaj kohe, kjo ka qenë mënyrë e detyrueshme dhe e imponuar. Nuk kishte asnjë mënyrë tjetër reagimi në një vend si Shqipëria, ku sundonte pushteti absolut i një personi, centralizimi i plotë i pushtetit dhe ekonomisë, kontrolli i gjithanshëm për çdo gjë dhe mbi këdo, izolimi nga bota e jashtme politikisht e ideologjikisht, me kufij të pakalueshëm etj. Pjesëtarë të familjes Shehu kanë deklaruar fillimisht në hetuesi dhe në vazhdimësi të njëjtin mendim për origjinalitetin e letrës, se është shkruar nga vetë Mehmet Shehu.
Mendimet e familjes së Mehmet Shehut për origjinalitetin e letrës janë të njëjta. Ato bazohen në thëniet e Fiqiretit. Fiqiret Shehu ka deklaruar gjatë kohës së internimit, në hetuesi e në gjykatë, se: “letrën e ka shkruar me dorën e tij vetë Mehmeti.” Skënder Shehu ka shpjeguar për përmbajtjen e letrës sipas thënieve të nënës së tij. Kështu, bën të ditur edhe publikisht: “Është diskutuar shumë historia e saj. Ju e dini që ka një letër dhe aty ka dy detaje tepër interesante. Para se të gjendej kjo letër, ne e kemi pyetur mamanë kur ishim në internim në Belsh, se çfarë mund të kishte shkruar ai. Ajo na ka thënë po ato gjëra që janë në letër, ndaj dhe kur u gjet letra pamë të njëjtat gjëra. Aty shkruhej për Ramizin, Kadriun, Foto Çamin…” Edhe në këtë deklarim nuk është sqaruar fakti se kur ka marrë dijeni Fiqireti, kur e ka parë vetë letrën, nëse e ka parë vetë dorëshkrimin, kur e ka lexuar etj.
Sqarimi i faktit nëse ajo menjëherë ditën kur mësoi për ngjarjen, në mëngjes, ka parë vetë direkt dhe menjëherë zarfin e pretenduar se ishte mbi komodinë, e ka marrë, e ka hapur, e ka lexuar, ka dijeni për përmbajtjen e letrës. Sqarimi nëse ajo ka dijeni direkte në kohën menjëherë pas ngjarjes së vdekjes, apo më vonë, pasi ka ardhur Kadri Hazbiu dhe ka marrë letrën pa u lexuar, do të sqaronte edhe dyshimin nëse ajo ka marrë dijeni më vonë për përmbajtjen e letrës, kush ia ka thënë etj. Ky sqarim merr rëndësi edhe për vetë rrethanat në të cilat janë zhvilluar ngjarjet. Shpjegimet e Fiqiretit kanë pasur rëndësi kryesore për të saktësuar se ku ka qenë më parë dhe gjatë kohës që u konstatua vdekja, veprimet e kryera pas këtij çasti, kushtet e mëvonshme ku u ndodhën ajo dhe familja e saj pas masave të internimit dhe vendosjes në Belsh, të arrestimit dhe dënimit të saj dhe të dy fëmijëve të tjerë, si dhe internimit të djalit të madh Skënder Shehu, bazuar në thëniet e nënës së tij, deklaron dhe argumenton se letra është origjinale dhe e shkruar nga Mehmeti: “Letra është shkruar nga ai dhe janë paraqitur ato që ne i dinim, që na tha mamaja, që duhej të jenë në letër, çka përjashton kategorikisht mundësinë e falsifikimit.
Mehmeti e dinte shumë mirë se ç’mendonte Enveri në ato kohë për të. Në të i thotë Enverit për autokritikën që ai ia quajti alibi, d.m.th. gënjeshtër. Mehmeti thotë edhe diçka tjetër në fund të letrës, “Të rroni ju, shoku Enver, të paktën sa të siguroni partinë”. Pra, kjo do të thoshte se nuk më ha meraku për ty. Por nëse supozojmë se letrën e ka bërë dikush tjetër, nuk do të shkruante këtë fjali…” Argumentimi që bën Skënder Shehu për këtë fjali nuk gjen shpjegim me qëndrimin e mbajtur në letër nga Mehmet Shehu, i cili në fakt përbetohet për besnikërinë e tij ndaj Enver Hoxhës, për mbrojtjen e marksizëmleninizmit, të partisë dhe vazhdimësisë së socializmit. Plotësisht i ndërgjegjshëm dhe i vendosur në bindjet e tij politike e ideologjike dhe në mbrojtje të politikës së partisë dhe të Enver Hoxhës, Mehmeti ka vënë në dukje duke theksuar rrezikshmërinë e devijimit dhe intrigave nga Kadri Hazbiu dhe të revizionizmit nga idetë e Ramiz Alisë dhe lidhjet e tyre me Bashkimin Sovjetik etj.
Vlerësimi i rëndësisë dhe i objektivitetit të letrës, si dhe i deklarimeve të familjarëve janë probleme që kërkojnë vëmendje dhe analizë të kujdesshme për vetë faktin se kanë rol parësor edhe në objektivitetin në tërësi të bazës së provave dhe të dhënave që kanë qenë objekt i hetimit, gjykimit dhe dënimit të tyre dhe të pjesëtarëve të tjerë të grupit komplotist. Deklarimet e Fiqiretit dhe fëmijëve të saj, duke u analizuar në gjerësinë e tyre edhe me ato të të pandehurve të tjerë, përbëjnë bazën për arritjen e përfundimeve të drejta për origjinalitetin e letrës. Normalisht, thëniet e Skënder Shehut, duke iu referuar besueshmërisë së mendimeve të nënës së tij, Fiqiret Shehut, kanë në përmbajtje ndikimin e besueshmërisë e të sinqeritetit të thënieve dhe të argumenteve që parashtrohen. Këto nuk mund të vihen në dyshim në kushtet që nuk ka të dhëna të tjera të kundërta.
Megjithatë, analiza e tyre e gjithanshme dhe nevoja për të thelluar kërkesën për objektivitet kushtëzohen edhe nga subjektiviteti dhe ndikimi i rrethanave në të cilat janë bërë të njohura dhe janë administruar edhe në dokumentet hetimore e gjyqësore. Fiqireti, Skënderi dhe Bashkimi kanë mbajtur qëndrim pendues dhe pa asnjë rezervë kanë dhënë shpjegime në hetuesi dhe në gjykatë. Qëndrimi i tyre pendues dhe bashkëpunues është vlerësuar si një rrethanë lehtësuese që është përmendur dhe argumentuar në aktakuzën e hetuesisë dhe në vendimin e gjykatës për t’i dënuar me heqje lirie dhe për t’i diferencuar nga dënimi kapital me vdekje, me pushkatim.
Fiqireti, Skënderi dhe Bashkimi nuk kanë shpjeguar konkretisht se cili ishte i pari që gjeti letrën, nëse është lexuar vetë menjëherë, pasi u konstatua se Mehmeti kishte vdekur, apo për përmbajtjen e kësaj letre është marrë dijeni më vonë, nëpërmjet personave të tjerë. Sqarimi i këtyre detajeve kushtëzohet me rolin dhe qëndrimin e Enver Hoxhës, Ramiz Alisë dhe Kadri Hazbiut. Ramizi ka shpjeguar se Enveri i tha Kadriut të shkojë të shohë nëse ka lënë ndonjë letër dhe ta sjellë. Kadriu ka shkuar, e ka gjetur dhe e ka sjellë. Pastaj letra është lexuar në Byronë Politike dhe më pas është arkivuar. Në bazë të këtyre të dhënave, nuk bëhet e ditur se kur, ku dhe si ka marrë dijeni Fiqireti.
Mendimet e dhëna nga Fiqiret Shehu për letrën, si dhe referimi në thëniet e saj që bëhet nga të dy djemtë, Skënder Shehu dhe Bashkim Shehu, duhen analizuar duke pasur parasysh edhe disa fakte dhe rrethana të tjera që kanë karakterizuar zhvillimin e ngjarjeve politike dhe personale, gjendjen në të cilën ndodheshin para dhe pas vdekjes së Mehmetit, masat drastike të internimit, arrestimit dhe më pas të dënimit, të vuajtjes së dënimit, të vdekjes misterioze të Fiqiretit dhe Vladimirit, të vuajtjes së dënimit nga Skënderi dhe Bashkimi në burgjet e sigurisë së lartë etj.
Situatat kanë qenë shumë komplekse dhe dramatike për këtë familje, si rrethanat në të cilat kanë dëshmuar dhe ruajtur të njëjtat qëndrime dhe vlerësime prej tyre. Është më e kuptueshme se gjendja e përgjithshme që kanë përjetuar, akuzat që iu bëheshin dhe kërkesat për të dhënë shpjegime, ku rol kanë luajtur edhe profesionalizmi dhe objektiviteti i hetimeve e gjykimit. Këta persona, si edhe të tjerët në atë proces, kanë pasur shqetësime dhe ndikime më të mëdha në ndërgjegjen e brendshme, gjendjen e përgjithshme mendore prej presioneve të mëdha politike, ligjore, familjare, pozitave kritike ku ndodheshin për të mbrojtur veten e familjen, për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej, besimin se në të ardhmen do të mund të vinin rrethana të tjera dhe do të mund të krijoheshin kushtet për të kërkuar dhe zbuluar të vërtetën etj.
Në analizën e plotë për këto probleme kërkohet të vlerësohen edhe këto fakte dhe rrethana që kanë karakterizuar në përgjithësi qëndrimet e mbajtura nga pjesëtarët e kësaj familjeje: Fiqireti ka qenë personi që ka bërë deklarime të rëndësishme, të cilat janë marrë të vërteta dhe janë administruar në hetuesi dhe në gjykatë si prova më e rëndësishme për të vërtetuar akuzat e rënda të grupit komplotist. – Deklarimet e Fiqiretit janë të njëjta me konkluzionet e Enverit për veprimtarinë armiqësore të Mehmetit në “Tablonë sinoptike …”
– Deklarimet që kanë mbështetur konkluzionet e mëparshme dhe ato të mëvonshme të Enverit vënë në dyshim edhe objektivitetin, shtrirjen dhe gjerësinë e veprimtarisë dhe thënieve konkrete të bëra nga Fiqireti gjatë procesit hetimor dhe atij gjyqësor.
– Fiqireti ka pranuar çdo akuzë dhe ka dhënë shpjegime të hollësishme të dokumentuara në procesverbalet në hetuesi dhe në gjykatë. Analiza e tyre objektive lë të kuptohet qartë edhe dyshimi për ndikimin e presionit të bërë në hetuesi për të pranuar akuzat sipas formulimeve të bëra fillimisht nga Sigurimi i Shtetit. Për të fshehur manipulimet dhe sugjestionimin e të pandehurve, si dhe për të pasur një provë se i pandehuri ka dhënë shpjegime me vullnetin e tij të lirë dhe i ka shkruar vetë thëniet e tij në procesverbal, në hetimet e krimeve kundër shtetit në atë periudhë është kërkuar dhe praktikuar që të pandehurit të shkruajnë vetë, me dorën dhe shkrimin e tyre procesverbalet e pyetjes si i pandehur.
Të pandehurit porositeshin dhe bëheshin takime të veçanta edhe kur çështja e tyre ishte në gjykim, që të jepnin të njëjtat thënie edhe para gjykatës. Kështu, të pandehurit, sipas procesverbaleve hetimore, kanë deklaruar me përpikëri të njëjtat të dhëna, fakte, prova edhe gjatë pyetjeve direkte në zhvillimin e seancave gjyqësore.
– Është vërtetuar se ka pasur manipulime të qëllimshme në komplotet dhe në proceset e rëndësishme hetimore dhe gjyqësore të organizatave kundërrevolucionare, sabotimeve, diversioneve, spiunazhit etj. Dihet edhe publikisht se janë zbatuar metodat e presionit, të dhunës psikologjike e deri asaj fizike, të imponimit të pranimit me çdo kusht dhe me mjete të paligjshme të akuzave të ngritura nga Sigurimi i Shtetit, në bazë të urdhrave dhe porosive të udhëheqjes kryesore, që nënkuptonte Enver Hoxhën.
– Fiqireti që në fillim ka pranuar pa asnjë rezervë çdo akuzë të bërë ndaj saj dhe ka dhënë shpjegime edhe për akuzat në ngarkim të të pandehurve të tjerë. Dihet se Fiqireti mbajti qëndrim pendues dhe ishte kurdoherë e gatshme për të qenë bashkëpunuese në çdo problem kur kërkohej mendim apo shpjegime prej saj, si për vete, ashtu edhe për të pandehurit e tjerë në hetuesi dhe në gjykatë. – Fiqireti ishte një nga personat që u bënë baza e mbështetjes së provave në ngarkim të akuzave kryesore për të pandehurit e tjerë të grupit komplotist.
– Fiqireti që dha kontribut në hetimin dhe gjykimin e komplotit, mbetej pikërisht për këto arsye edhe personi më i rrezikshëm që mund të deklaronte në të ardhmen qëndrime të tjera në rrethana të ndryshme politike.
– Fiqireti pësoi fatin e personave që dinin shumë dhe duheshin eliminuar përfundimisht. Rrethanat e asaj kohe lënë të kuptohet se është paragjykuar se ajo mbetej rrezik potencial për udhëheqjen dhe është vendosur në fshehtësi se nuk duhej të jetonte më. Është i domosdoshëm vlerësimi i kujdesshëm i objektivitetit dhe besueshmërisë së thënieve të Fiqiretit, Skënderit dhe Bashkimit. Pendimi për fajësinë dhe akuzat, si dhe shpjegimet që ka dhënë Fiqireti, tërheqin vëmendjen për objektivitetin e provave, ndikimin e gjykimeve subjektive dhe vlerën e tyre ligjore. Pa vënë në dyshim karakterin dhe personalitetin, në thëniet e Fiqiret Shehut është e domosdoshme të analizohen me vëmendje dhe më kërkesë të rreptë për objektivitetin e ndikimet subjektive, për të zbuluar të vërtetën në të dhënat e administruara në hetuesi dhe në gjykatë.
Thëniet e Fiqiretit kanë dyshime të mëdha për objektivitetin dhe besueshmërinë si prova me vlera juridike për procesin hetimor dhe atë gjyqësor. Thëniet e Fiqiret Shehut në hetuesi dhe në gjykatë nuk janë bindëse për shkak të dyshimeve të bazuara për sugjestionime dhe manipulime të qëllimshme të procesit, si dhe të qëndrimit të saj bashkëpunues pa rezerva me Sigurimin e Shtetit dhe me hetuesinë. Qëndrimet pohuese dhe bashkëpunuese të Fiqiretit, Skënderit dhe Bashkimit, të vlerësuara dhe të dokumentuara si prova të rëndësishme, kanë qenë baza për argumentimin e akuzave dhe të fajësisë së pjesëtarëve të tjerë të grupit komplotist. Qëndrimi i këtyre tre pjesëtarëve të familjes Shehu ka qenë një ndihmë për veprimtarinë agjenturore, si dhe për procesin e zhvilluar nga hetuesia dhe gjykata.
Është e kuptueshme se thëniet e koordinuara midis tre pjesëtarëve të familjes, si dhe të pozitës së tyre në udhëheqje e të marrëdhënieve me të pandehurit kryesorë, kishin rëndësi për besueshmërinë e provave ligjore, si dhe për propagandën për të përpunuar opinionin publik për ligjshmërinë e procesit penal dhe dënimin e fajtorëve të grupit komplotist të akuzuar për tradhti, spiunazh e të tjera krime të rënda. Fiqiret Shehu, Skënder Shehu dhe Bashkim Shehu, të tre së bashku, që në fillim të procesit hetimor, menjëherë pas arrestimit dhe marrjes së tyre në pyetje nga hetuesia, pranuan pa asnjë hezitim fajësinë e tyre për akuzat për krime të rënda armiqësore kundër shtetit.
Të tre ata u bënë dëshmitarët kryesorë që pranuan akuzat, të cilat ishin deklaruar dhe argumentuar më parë drejtpërdrejt dhe personalisht nga Enver Hoxha në Byronë Politike. Akuzat politike u bënë programi i punës në legjendat e kompozuara menjëherë nga Sigurimi i Shtetit në planet e punës agjenturore për ndjekjen, manipulimin e provave, kallëzimin ligjor dhe arrestimin sa më shpejt. Akuzat politike u bënë programi i punës së Sigurimit të Shtetit, hetuesisë dhe gjykatës.
Masat e marra në atë kohë, duke u rivlerësuar me ndryshimin e sistemit politik, treguan se ato ishin manipuluar dhe argumentuar padrejtësisht, sikur kryheshin në bazë të kritereve proceduriale të Kodit të Procedurës Penale dhe të Kodit Penal. Pjesëtarët e grupit komplotist të pretenduar si të zbuluar nga vetë nga Enver Hoxha ishin viktima të paligjshmërisë dhe të manipulimit të procesit hetimor dhe gjyqësor. Porositë e hapura dhe të fshehta nga Enver Hoxha dhe Ramiz Alia kishin gjetur reflektim të menjëhershëm në raporte agjenturore, merrnin formën ligjore në pyetjet e bëra si të pandehur në hetuesi dhe pranoheshin pa asnjë rezervë në gjykatë për të arsyetuar akuzat për krimet e rënda, për të vlerësuar si të ligjshme provat që pretendohej se ishin administruar në formën ligjore proceduriale. Ato pretendohej se pasqyronin objektivitetin e të dhënave të fiksuara në provat dokumentare, shkresat, informacionet, provat e drejtpërdrejta me thëniet e të pandehurve dhe dëshmitarëve.
Për të vërtetuar idetë e Enver Hoxhës, është vepruar me të gjitha mjetet duke shkelur rëndë Kushtetutën dhe ligjet. Kështu argumentohet dhe dëshmohet paligjshmëria dhe falsiteti i procesit penal dhe gjyqësor të realizuar me paramendim dhe duke fshehur të vërtetën me të gjitha mjetet. Proceset e mëdha të komploteve janë manipuluar me paramendim dhe i është dhënë rëndësi zbulimit të tyre nga udhëheqësi i madh, duke i maskuar ato me propagandën për zbatimin e ligjit me rreptësi, publikuar me “vellon proceduriale” dhe “bekuar me drejtësinë” e partisë dhe të gjykatës në gjykimet para popullit. Me anë të këtyre formave të propagandës dhe të dhunës është imponuar njëlloj edhe ndjekja, arrestimi dhe dënimi i organizatës kundërrevolucionare të kryesuar nga Mehmet Shehu, të cilët morën formën përfundimtare me vendimin e Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.