Connect with us

Bota

Lidhni rripat e sigurimit, po hyjmë në zonë turbulencë/ Kryeministri polak pasi SHBA pezulloi ndihmën ushtarake për Ukrainën

“Ju lutemi lidhni rripat e sigurimit, ne po hyjmë në një zonë turbulence, mund të thuhet”, tha kryeministri polak, Donald Tusk, gjatë hapjes së një takimi të kabinetit polak në Varshavë, raporton The Guardian.

Në fjalën e tij hyrëse, Tusk paralajmëroi për rreziqe “të pashembullta” me të cilat përballet Europa, duke përfshirë “më të mëdhenjtë në dekadat e fundit kur bëhet fjalë për sigurinë”. Ai u kërkoi ministrave në qeverinë e tij të koalicionit që t’i lënë mënjanë mosmarrëveshjet partiake pasi ai pret se vendi do të ketë nevojë që të marrë vendime “të jashtëzakonshme”.

“Siç e dini, u njoftua një vendim për ta pezulluar ndihmën e SHBA-së për Ukrainën dhe ndoshta fillimin e heqjes së sanksioneve ndaj Rusisë. Ne nuk kemi asnjë arsye të mendojmë se këto janë vetëm fjalë”, tha ai.

Ai shtoi se raportet që po i merr nga kufiri polako-ukrainas dhe qendra logjistike polake në Rzeszów-Jasionka, e përdorur për furnizimet për Ukrainën, konfirmuan se vendimi i SHBA për ta pezulluar ndihmën ushtarake për Ukrainën ishte zbatuar.

Ai tha se Polonia është e vendosur t’i “intensifikojë aktivitetet në Europë të t’i rritur aftësitë tona mbrojtëse, duke u kujdesur gjithashtu, pavarësisht nga ajo që po ndodh, për marrëdhëniet më të mira të mundshme translantike dhe bashkëpounimin me aleatin tonë më të ngushtë, SHBA-në”.

Advertisement