Politike
‘Ligji anti-mafia…’/ Basha “çon” dënimin e Salianjit në Këshillin e Europës
Deputeti i i grupit ‘Euroatlantik’, Lulzim Basha, ka marrë pjesë në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Popullore Europiane në Këshillin e Europës. Basha ka sjellë në vëmendje çështjet e fundit të zhvillimit politik në vend nga arrestimi i Salianjit deri tek mandati i deputetes së PS-së Olta Xhaçka, njofton ai përmes një postimi në Facebook.
Basha kërkoi vëmendjen e Këshillit Europian dhe Komisionit të Venecias për dy çështjet, ku shprehet se nuk është respektuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Xhaçkës dhe se vëllai i ish-Ministrit Xhafaj ka qenë subjekt i anti-mafias.
“Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Popullore Europiane, në Këshillin e Europës. Seanca me Sekretaren e Komisionit të Venecias në këtë takim më dha mundësinë të shtroja për diskutim disa çështje të rëndësishme mbi gjendjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri, si bazament i demokracisë dhe zhvillimit të vendit. Nevoja për të çuar përpara vettingun në politikë, të bllokuar nga mazhoranca por i mbështetur në parim nga Komisioni i Venecias; kriza kushtetuese e nxitur nga mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Xhaçka, si dhe arrestimi i deputetit të opozitës Ervin Salianji me akuzën e kallëzimit të rremë, ndërkohë që vëllai i ish-ministrit Xhafaj rezultoi të ishte i dënuar dhe vetë ministri subjekt i ligjit anti-mafia, janë çështje që meritojnë vëmendjen e Komisionit të Venecias dhe KiE, për forcuar përpjekjet e përbashkëta në lidhje me sfidat me të cilat përballen shteti i së drejtës, sundimi i ligjit dhe demokracia funksionale në Shqipëri,“-shkruan Basha.
Në ragimin e tij të bërë më herët në lidhje me vendimin e Apelit për dënimin me burg të Salianjit, Basha u shpreh se është një pazar politik mes kryeministrit Edi Rama dhe Sali Berisha. Ai deklaroi se Rama i ka dhënë “vulën” Sali Berishës, ndërsa Ervin Salianjin e ka sakrifikuar për të arritur këtë marrëveshje. Më tej, Basha shtoi se ai nuk feston për arrestimin e Salianjit.
Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji mbërriti në burgun e Fierit mbrëmjen e 27 shtatorit, aty ku do të kryejë dënimin e konfirmuar nga Apeli me 1 vit heqje lirie për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Gjykata e Apelit la më 26 shtator në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi i Gjykatës së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë. Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike.