Lifestyle
Ligji: Tërheqim personat e ngjashëm me veten
Kur flitet për tërheqjen, mund të mendohen gjëra të ndryshme, por që të gjitha japin pak a shumë të njëjtën ide: afrimin e një objekti me një tjetër për shkak të një force të caktuar që kontribuon në këtë afrim. Për këtë arsye, shpesh fjala tërheqje, ka hyrë në fjalorin e përditshëm si dëshirë.
Ndërkohë, për dy persona tërheqja mund të nënkuptojë një formë të tërheqjes seksuale (bazuar në aspektin fizik): një mashkull sheh një femër që i pëlqen, dhe tërhiqet prej saj. Por nuk është kaq e thjeshtë, pasi nëse ata dy persona njihen dhe zhgënjehen nga karakteri i njëri-tjetrit, secili nga të dy nuk do të ndiejë më tërheqje për personin tjetër.
Na është thënë se “të kundërtat tërhiqen”, por sa e vërtetë është kjo thënie? Normalisht personat disi më të ndryshëm se ne, na tërheqin. Kjo ndodh sepse ata sjellin në jetën tonë një botëkuptim të ri për jetën, për botën, për veten. Është normale që të ketë tërheqje në këtë mes për shkak të kuriozitetit, si dhe dëshirës për të zbuluar një botë ndryshe nga jona.
Po aq e vërtetë sa thënia më lart, është edhe përfundimi se edhe personat e ngjashëm tërhiqen midis tyre. Kjo ndodh për shkak se të gjithë kalojnë nëpër faza të jetës, në të cilat kanë nevojë t’i kuptojnë personat përreth dhe t’i mbështesin. Këtë gjë mund ta arrish lehtësisht, nëse pranë vetes mban dikë të ngjashëm me veten.
Ndërkohë, idetë e kohëve të fundit po i kushtojnë një rëndësi tepër të madhe ligjit të tërheqjes. Sipas këtij ligji, gjithçka funksionon shumë thjeshtë. Ne tërheqim drejt vetes ata që duam të kemi pranë. Nëse ndonjëherë keni menduar se pranë keni persona jo të duhur, problemi qëndron tek ju.
Jeni ju që dëshirat tuaja i keni të dyzuara lidhur me personat që doni të keni pranë : T’i keni si vetja, apo të kundërt me veten? Është pikërisht kjo përplasje mendimesh që dërgon në univers frekuenca të përziera dhe mbrapsht merrni personat e gabuar pranë vetes suaj.
Mirëpo, nëse ju e dëshironi fort diçka, pa u lëkundur në mendimet tuaja, universi do të punojë për t’jua realizuar atë gjë. Në rastin në fjalë, kur ju të dëshironi vërtet dikë pranë, universi do të punojë për t’jua sjellë atë person pranë vetes. Duhet thjesht të jeni ju të qartë dhe të vendosur në dëshirat që keni. Ky është parimi bazë i ligjit të tërheqjes. Ne tërheqim atë çfarë kërkojmë me vendosmëri për të pasur pranë