Connect with us

Kosova

Limaj i gatshëm për bisedime me Kurti për qeverinë, por kreu i LVV ende pa një plan

Nisma Socialdemokrate ka konfirmuar gatishmërinë për t’iu përgjigjur pozitivisht çdo ftese nga Lëvizja Vetëvendosje për të diskutuar rreth formimit të qeverisë së re, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Deputetja e kësaj partie, Xhevahire Izmaku, tha se Nisma ka “një përgjegjësi politike” dhe se “nuk ka asnjë arsye të mos jetë në tavolinë të diskutimit me LVV-në”.

Sipas saj, në rast se krijimi i institucioneve të reja varet vetëm nga tri votat e Nismës, “nuk do të ketë kushte për bashkëpunim në raport me formimin e qeverisë”.

Megjithatë, Izmaku kërkoi që paraprakisht të zgjidhet çështja e kryetarit të Kuvendit, duke theksuar se “legjislativi nuk mund të funksionojë me një figurë që ka krijuar përçarje”.

Kujtojmë se më 11 tetor, presidentja Vjosa Osmani e ka mandatuar kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, për formimin e qeverisë së re. Kurti ka paralajmëruar se pas analizës së rezultateve të zgjedhjeve lokale, do të nisë rundin e parë të bisedimeve me partitë politike për krijimin e kabinetit qeveritar.

Kurti thotë se fokusi ishte te rezultatet zgjedhore, ende pa “plan” për qeverinë e re

Albin Kurti, kryeministër në detyrë dhe mandatar për formimin e qeverisë së re, ka njoftuar se ende nuk ka nisur negociatat me udhëheqësit e subjekteve parlamentare për krijimin një koalicioni qeverisës, kur kanë mbetur edhe 12 ditë deri në përfundimin e afatit kushtetuese për prezantimin e përbërjes dhe programit të Qeverisë së Kosovës.

Ai ka deklaruar se fokusi i tij ditët e fundit ka qenë te analizimi i rezultateve zgjedhore, duke iu përkushtuar veçanërisht vlerësimit të performancës së Lëvizjes Vetëvendosje nëpër komunat e Kosovës, dhe përgatitjes për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

“Tepër shumë punë këto ditë, analizat e rezultateve nga qendrat. Na duhet ta shohim kontributet që kanë pasur fushatat nëpër komuna me rezultatin që kemi arritur, në mënyrë që sa më shpejt të fillojmë me fushatën për balotazhe. Andaj dje dhe sot nuk kam arritur ende që t’i zhvilloj ato komunikime. Por jemi duke e bërë një plan edhe për këtë. Ne kemi më shumë se 10 ditë”, ka theksuar Kurti, sipas Ekonomia Online.

Ndryshe, ai do të ketë nevojë për të paktën 61 vota në Kuvendin e Kosovës prej 120 deputetësh për të marrë mandatin e tretë në krye të ekzekutivit kosovar, duke qenë se në zgjedhjet e fundit parlamentare, partia e tij ka arritur të fitojë vetëm 48 ulëse.

Advertisement