Shkrime
Lindi një yll i botës së lire, Aleksandër Vuçiç
Nga Nenad Milosavljeviç
Ndeshja u mbyll me rezultat 4:1 për kundërshtarin, por ne fituam. Çfarëdo që fituam, i thyem! Kështu mund të përmblidhej aventura në Nju Jork e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, si dhe gjithçka që pasoi.
Ndoshta pas këtyre përfundimeve njerëzit janë pak konfuz, por matematika e avancuar nuk është e lehtë, është pak më ndryshe nga kjo e zakonshme, gjithsesi zyrtarët dhe tabloidët tashmë na e kanë shpjeguar.
Për rezolutën e Srebrenicës e miratuar në OKB, votuan 84 vende, kundër 19, abstenuan 68. Por sipas Vuçiçit, nëse shtojmë abstenimet dhe ato kundër, rezultati ndel ndryshe, prandaj mbylleni gojën. Nuk ka rëndësi që koncepti i abstenimit do të thotë që dikush nuk do të bëjë deklaratë për diçka dhe se shanset janë pesëdhjetë e pesëdhjetë pro ose kundër. Gjithsesi e sigurt është që nuk janë kundër rezolutës. Çështja është mjaft e qartë dhe e pastër si një pikë loti. Por në Serbi nuk e mendojnë kështu. Kushdo që nuk është për presidentin Vuçiç është automatikisht kundër tij dhe në përputhje me rrethanat do të marrë atë që meriton. Dhe kështu funksionon për 12 vjet. Dhe është krejtësisht normale.
Dhe pasi e shkatërruan kundërshtarin në OKB në mënyrë epike, si çdo sukses sportiv, edhe ky duhej të festohej ashtu siç duhej. Qeveria serbe e interpretoi votën në OKB në stilin e saj: nëse dikush nuk është pro, atëherë është kundër. E teksa Serbia fitoi ndërsa humbi me 84:19, qytetarët në mënyrë krejt spontane dolën në rrugë me makinat e tyre të zbukuruara me flamuj. Festës iu bashkua edhe Kulla e Beogradit mbi Ujë, e cila gjithashtu ishte e veshur me ngjyra kombëtare dhe në ekranin e saj gjigant u shfaqën emrat e vendeve që nuk votuan për rezolutën.
Duke thurrur ditirambe për Vuçiçin, pati edhe disa deklarata interesante, le të themi se pikërisht tani ka filluar formimi i një bote të re, liridashëse, flamurtarët e së cilës ndoshta jemi ne, domethën presidenti serb. Dhe kur ajo botë e re liritare të formohet realisht zyrtarisht, ai do të jetë edhe presidenti i botës. Tingëllon kaq mirë e bukur. Tani, nëse i besoni presidentit Vuçiç, dhe në fakt ska pse mos ta besoni, pasi është president për hir të Zotit, logjikisht do duhet të bëni disa pyetje.
Le të themi, nëse fituam, siç tha Vuçiç, dhe OKB-ja miratoi një rezolutë që, përsëri siç thotë presidenti, e shpall popullin serb gjenocid, si duhet të sillemi ne si popull tani? A duhet ta festojë populli gjithë këtë dhe si është më e përshtatshme të festohet një gjë e tillë?
Lind edhe pyetja, çfarë do të kishte ndodhur nëse presidenti nuk do të kishte fituar atje? Më mirë as të mos e mendojmë këtë gjë. Le të qëndrojmë në versionin zyrtar të kësaj historie dhe të valëvisim flamujt. Ti tundim me sa fuqi të kemi. Serbia humbi në Amerikë, por fitoi Aleksandër Vuçiç. Kjo është matematika moderne e Beogradit…