Connect with us

Kosova

Lirimi i policëve/ Haradinaj: Kurti dhe Vuçiç nuk mund t’i ikin përgjegjësisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar mbi lirimin e tre policëve kosovarë, që u rrëmbyen nga Serbia më 14 qershor në veri të vendit.

Përmes një postimi në facebook, Hardinaj tha se ky është një lajm i mirë për Kosovën dhe familjet e policëve, por sipas tij kjo ngjarje nuk konsiderohet e mbyllur me kaq.

Sipas tij as Vuçiç e as Kurti nuk mund të shpëtojnë nga përgjegjësia, për rrëmbimin dhe paraburgimin e policëve për më shumë se 10 ditë.

“Lirimi i tre policëve të Kosovës është lajm i mirë, para së gjithash për familjet e tyre por edhe për Kosovën, por kjo nuk nënkupton që kjo ngjarje mund të konsiderohet e mbyllur vetëm me lirimin e tyre. As Presidenti i Serbisë e as Kryeministri i Kosovës, nuk mund t’i ikin përgjegjësisë së tyre, e cila çoi në rrëmbimin e policëve dhe mbajtjen e tyre në paraburgim e pa asnjë faj për më shumë se dhjetë ditë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj tha gjithashtu se Policia e Kosovës nuk duhet të paguajë çmimin për veprimet e papërgjegjshme të politikave të regjimit në Serbi, apo të veprimeve të papërgjegjshme të qeverisë së Kosovës, e cila çoi në rrëmbimin e policëve të Kosovës dhe mbajtjen e tyre në paraburgim e pa asnjë faj, për më shumë se dhjetë ditë.

Ai shtoi se lirimi i tyre është bërë i mundur vetëm falë ndërhyrjes së diplomacisë amerikane.

“I gjithë falënderimi dhe mirënjohja ynë shkon për ta ShBA-në”, ka përfunduar ai.

Advertisement