Connect with us

Bota

Lirohen pengjet e para izraelite, Hamas ia dorëzon Kryqit të Kuq

Hamasi ka liruar shtatë pengje izraelite, duke ia dorëzuar ata për transport Kryqit të Kuq – të parët që lirohen si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit, sipas një raporti të Associated Press. Nuk kishte informacion të menjëhershëm mbi gjendjen e tyre. Raportet e mediave izraelite thonë gjithashtu se shtatë janë liruar, por kjo nuk është konfirmuar ende zyrtarisht.
Familjet dhe miqtë e pengjeve shpërthyen në brohoritje të tërbuara, ndërsa kanalet televizive izraelite njoftuan se pengjet ishin në duart e Kryqit të Kuq. Dhjetëra mijëra izraelitë po shikojnë transferimet në shfaqje publike në të gjithë vendin, me një ngjarje të madhe që po mbahet në Tel Aviv.
Hamasi ka thënë se 20 pengje të gjalla do të shkëmbehen me më shumë se 1 mijë e 900 të burgosur palestinezë të mbajtur nga Izraeli.
Disa familje dhe oficerë sigurie të Autoritetit Palestinez kanë filluar të mblidhen ndërkohë në Ramallah, për të pritur lirimin e të dashurve të tyre nga burgjet izraelite. Të burgosurit palestinezë do të lirohen pasi të mbërrijnë pengjet izraelite nga Gaza.
Rreth 1 mijë e 700 të burgosur do të kthehen në Gaza, ku u arrestuan. Rreth 250 të burgosur me dënime të përjetshme do të lirohen ose në Bregun Perëndimor, ose në Gaza, ku do të dërgohen në mërgim.
Mohammed Atatra dhe familja e tij kishin pritur lirimin e vëllait të tij, Kamal Atatra, që nga mbrëmë. Kamal ishte burgosur 23 vjet më parë me akuza për vrasje dhe do të lirohet si pjesë e shkëmbimit të pengjeve.
Atartra tha: “Nuk e kemi parë për dy vjet, që kur filloi lufta, nuk e dimë se në çfarë gjendjeje do të jetë. Djali i tij nuk e njeh”.
Atartra shtoi se Ushtria izraelite kishte vizituar shtëpinë e tyre dje për t’i paralajmëruar të mos festonin lirimin e të afërmve të tyre.
“As këndim, as festime, as muzikë”, tha Um Abed, motra 60-vjeçare e Kamalit. “Kemi frikë se do ta arrestojnë përsëri”.

Advertisement