Politike
Lista e Ramës/ Berisha i ashpër: Kandidatë me dosje të rënda në SPAK

Në një fjalim të tij duke iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar Edi Ramën dhe partinë e tij për përzgjedhjen e kandidatëve të lidhur me afera korruptive dhe krimin. Sipas Berishës, grupi i parë i listës së kandidaturave të Ramës përbëhet nga individë që kanë dosje të rënda në SPAK dhe janë të përfshirë në disa nga aferat më të mëdha korruptive të vendit. Ai përmendi veçanërisht Taulant Ballën si simbol të këtij grupi.
Berisha vazhdoi duke kritikuar edhe grupin tjetër të kandidatëve të Ramës, të cilët i quajti “patronazhistë famëzinj.” Ai i akuzoi ata për shkelje të ligjit dhe të Kushtetutës, duke i konsideruar ata si mercenarë të vërtetë, të cilët janë të gatshëm të mbrojnë pushtetin për interesa personale. Berisha theksoi se këta individë janë vendosur në listë pasi kanë lavdëruar Edi Ramën, duke e krahasuar atë me figura mitologjike dhe duke i dhënë atij cilësime të tepërta.
Në fund, ai kritikoi ashpër listën e kandidaturave të Edi Ramës, duke e cilësuar atë si “më qesharakën që është paraqitur ndonjëherë.” Sipas Berishës, kjo është një listë “turistësh” që vijnë dhe shkojnë pa lënë një ndikim të qëndrueshëm, dhe ripërtëritja e këtij procesi është thjesht një fasadë pa asnjë rezultat të vërtetë për qytetarët.
Pjesë nga fjala e kreut të PD Sali Berisha:
Të dashur miq, përsëri jam para jush për të diskutuar me ju, për të dëgjuar pyetjet dhe për t’ju përgjigjur komenteve tuaja.
Ka qenë një javë hektike, në kuptimin e mbledhjeve të pafundme për përzgjedhjen e kandidaturave, por mendoj se PD paraqet para shqiptarëve kandidaturat më përfaqësuese që ajo ka paraqitur në tërë ekzistencën e saj.
Paraqet para shqiptarëve kandidatura që kanë një karrierë politike të gjatë dhe kanë qendruar në pushtet si shërbëtorë të qytetarëve.
Shkurtimisht, grupi i parë i listës së Edi Ramës janë që të gjithë pa përjashtim me dosje të rënda Spak-u, aferash korruptive ndër më të mëdhatë dhe lidhje me krimin ndër më të tmerrshme. Simbol i kësaj liste, përveç Edi Ramës vetë, është Taulant Balla.
Grupi tjetër, është grupi i patronazhistëve famëzinj, të cilët nuk kanë ligj as moral, mercenarë të vërtetë që shkelin kushtetutën për privilegjet e tyre për të mbrojtur pushtetin. Vendosen në lista, sepse njëri i thotë se Rama është Zeus, se tjetra thotë se, Rama është 10 hapa para.
E treta thotë, është brand botëror. Pra, lista e turistëve, është lista, duhet ta themi haptas, është lista më qesharake që është paraqitur ndonjëherë. Sepse, çfarë ndodh?
Këta vijnë e shkojnë. Marrin një mandat, rrinë 4 vjet, vazhdojnë punën e tyre dhe merr një grup turistësh tjerë, i sjell, i merr dhe këta i quan fasada, i quan meremetim, këta i quan ripërtëritje.
Po ripërtëritja nuk është një proces turistik.

