Connect with us

Kosova

Lista Serbe fshihet në vrimat e miut/ Arsenijeviç: Beogradi i pafuqishëm në Kosovë

Kryetari i Demokracisë Serbe ne veri te Kosoves, Aleksandër Arsenijeviç, tha se kryeministri Albin Kurti “mban një molotov në duar” dhe se ‘Lista Serbe’, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, është heshtur dhe është futur në “vrimën e miut”.

“Lista Serbe është e heshtur. Është futur në vrimën e miut. Pas 12 vitesh në pushtet nuk bëjnë asgjë, veç ndonjë njoftim dhe reagim ndaj ndonjë marrëzie. Për ne është e pabesueshme që tani pas 12 vjetësh në pushtet kur ata duhet të mbrojnë njerëzit e tyre, po fshihën në vrimat e miut” – deklaroi Arsenijeviç.

Politikani serb nga Veriu, i cili u arrestua disa herë kohëve të fundit nga policia e Kosovës për prishje të rendit dhe qetësisë publike, ka theksuar se Beogradi tashmë është i pafuqishëm në Kosovë.

“Opozita duhet që urgjentisht të dërgojë përfaqësuesit e saj në të gjitha vendet evropiane dhe në SHBA për të lobuar, sepse bëhet fjalë për mbijetesën e popullatës sonë në Kosovë. Ne punojmë ditë e natë, por nuk mund të bëjmë gjithçka” – potencoi politikani serb

Arsenijeviç ka shtuar gjithashtu se bashkësia ndërkombëtare nuk e merr seriozisht gjithçka për të cilën komuniteti serb reagon në Kosovë.

“Nuk e di nëse nuk duan ta kuptojnë apo kanë frikë nga Albin Kurti, i cili mban një molotov në duar dhe mund t’i vërë flakën rajonit. Ata duhet ta kuptojnë se sa të dëshpëruar jemi” – theksoi Arsenijeviç.

Ai është ankuar edhe për prangosjen e shpeshtë nga organet e rendit në Kosovë, duke thënë se nuk ka asnjë arsyeje për ta ndaluar.

Advertisement