Politike
Lista të hapura dhe të mbyllura/ Sula: Kolegët e mi po shohin ëndrra me sy hapur për të qenë në…
Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, i ftuar në një emision televiziv, iu kthye çështjes së listave të hapura dhe të mbyllura, duke theksuar se kolegëve të tij kanë filluar t’i dalin listat në ëndërr.
“Garantoj se në ato listat e hapura nuk ka shanse të fitojë askush. I kam bërë unë llogaritë. Sipas zgjedhjeve të vitit 2021, 12 deputetë i bien nga listat e hapura. Unë e përgjysmoj, e çoj te gjashta ose edhe më poshtë. Unë po të jem te lista e hapur, edhe me 30 mijë vota nuk hyj në Parlament. Kështu është llogaria. Por, nëse i bën llogaritë sipas Damian Gjiknurit dhe Oerd Bylykbashit, listat janë shumë të hapura”, tha Sula.
“Ethet e listave kanë filluar. Shumica e kolegëve të mi shohin ëndrra natën se ku janë, a kanë hyrë apo jo te lista. Unë për vete jam në kokërr të rehatit, jam shpirt i lirë, në qetësinë më të admirueshme që kam si person. Jam njeri i plotësuar, me një familje të mrekullueshme, me një karrierë politike nga viti 2005… Unë ia atribuoj këtë karrierë politike në radhë të parë demokratëve të Peqinit, të gjithë Qarkut të Elbasanit dhe asnjë individ, përfshirë këtu Sali Berishën , shtoi Sula.
“Unë do të pranoj çdolloj verdikti politik. Qejf nuk kam të jem te lista e mbyllur, më vjen turp të jem aty”, tha në fund Dashnor Sula.