Connect with us

Politike

Listat e Bashës, çështje pazari/Gjikondi: S’mund të rinegociojë me Berishën, mund të mbajë një lidhje të nëndheshme me…

Analistja Brizida Gjikondi thotë se Lulzim Basha, duke shtyrë publikimin e listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e vitit të ardhshëm, po përpiqet të bëjë pazar. Në një intervistë për “NewsLine” me gazetaren Viol Xhafaj, thotë se Basha ka pasiguri te personat që ka pas vetes në partinë e tij.

“Kjo përgjigje e tij më shumë ka të bëjë me mospatjen siguri të situatës në partinë e tij të vogël. Ai ka probleme me karaktere si Alibeaj që kanë qenë nga të paktë personazhe të asaj force politike që kanë pasur burrërinë në prezencë dhe debatet e gjithçkaje që ka ndodhur në parti, ndryshe nga zoti Basha që ka qenë gjatë gjithë kohës inekzistent. Kujton se populli është budalla dhe me një deklaratë mediatike do të kompensojë inekzistencën e tij ndërkohë që në momente shumë decizive ai ka rrëshkitur, nuk ka qenë fare as te zgjedhjet lokale, as këto muaj. Unë mendoj se ai nuk ka siguri për njerëzit që ka pas vetes apo jo. Kjo është arsyeja që ka shtyrë listën e hapur të deputetëve që do të paraqiste gjatë marsit. Ai pret që t’i kullojë akoma sita  e makaronave të tij pasi ka frikë se mos vë emra dhe më pas kalojnë me krahun tjetër, siç ka edhe ambicie për të bërë një pazar që njerëz që janë nga krahu i Berishës të shkojnë nga ana e tij duke i joshur me këtë listën e famshme që për fat të keq është akoma në dorë të kryetarëve të partive pasi nuk është zbatuar ende vendi i Gjykatës Kushtetuese që listat të jenë të hapura dhe jo më në pronësi të partive. Unë mendoj se është pjesë e karakterit të tij dhe pasigurisë që ka në partinë e tij.”, tha Gjikondi.

E pyetur nëse ka gjasa që të përsëritet skenari i 14 Majit, që në disa bashki nuk vendosi kandidatë, analistja tha:

“Unë mendoj që është më shumë çështje pazari që përpiqet të marrë ose shikojë se kush do të ikë por duke ditur se lista e deputetëve të republikën shqiptare nuk ka idealistë, shumica janë pragmatistë, ai e ka si moment pazari. Unë e shoh si shtyrje ankandi dhe jo një vizion politikani që asnjëherë nuk na ka zhgënjyer dhe ka qenë një model. Personalisht e shikoj si një shtyrje ankandi.

Bashkëpunim me Rithemelimin?

“Nuk besoj se është aq vizionar saqë do të bashkohet me Berishën. Tani që ka shkuar edhe Bardhi andej, unë shikoj që ai ka hallin e partisë. Ai nuk pranon dot që të jetë dyshi apo 3, por të jetë një person influencues dhe vendimarrës. E rithem, ne e dimë shumë mirë që shumicat e listave janë lista biznesi, që sjellin përfitime financiare por edhe politike për liderët e partive, sidomos Basha, Meta dhe Berisha dihet se manovrojnë me figura që sjellin vota dhe që i mbajnë në politikë. Mendoj se kjo është arsyeja që Basha po përpiqet, ai nuk mund të hajë atë që ka përshtyjë dhe të rinegociojë me Berishën. Ndoshta mund të mbajë një lidhje të nëndheshme me Bardhin pasi kemi parë që edhe Bardhi njëherë është treguar agresiv me Bashën dhe pastaj nuk është tërhequr, ka thënë se do të japë prova dhe nuk i ka dhënë. Prandaj mendoj se është pazar i mirëfilltë edhe per interesa personale, jo më për PD.”, shtoi Gjikondi.

Advertisement