Connect with us

Kosova

LOJA ZGJAT deri në minutën e fundit, Gjermania thotë se Kosova mund të hyjë në KiE

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka theksuar se agjenda e Këshillit të Evropës mund të ndryshohet në minutën e fundit, duke aluduar se votimi final i anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare mund të hyjë në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave në KiE e cila pritet të mbahet më 16-17 maj.

Por, që një gjë e tillë të ndodhë Kosova sipas diplomatit gjerman duhet të bëjë një hap substancial në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Kushtetuese për shqyrtim.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Kosovës e ka quajtur “absurde” kërkesën e Gjermanisë dhe Francës që draft-statuti i Asocaicionit të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese para anëtarësimit në KiE.

“Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë dokumente të cilat s’i ka pranuar dhe që nuk janë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde”, ka thënë Kurti.

NTV.AL, ditë më parë raportoi se Qeveria e Kosovës është pajtuar në parim me komunitetin ndërkombëtar që pas përkrahjes që ka marrë me 16 prill nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, të dërgojë deri më 10 maj për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin.

 

Advertisement