Connect with us

Kosova

Lojë shahu Kosovë-Serbi/ Kurti deklarohet për ‘Remi’

Kryeministri Albin Kurti ka përsëritur se Kushtetuta dhe Pavarësia e Kosovës nuk lejojnë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në një deklarim për media, kreu i ekzekutivit tha se ata që e kërkojnë Asociacionin duhet të tregojnë se pse nuk mjafton plani i Ahtisarit.

Kurti deklaroi se ata që kërkojnë Asociacion njëetnik kërkojnë edhe ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës dhe sipas tij, për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë duhet të ndryshohet edhe Kushtetuta e kësaj të fundit.

“Po insistohet në një asociacion njëetnik. Ne duhet të diskutojmë, mirëpo kushtetutshmëria dhe pavarësia e Kosovës nuk pranojnë asociacion njëetnik” – tha Kurti duke shtuar se “Për normalizim të marrëdhënieve duhet të ndryshohet edhe Kushtetuta e Serbisë”.

Teksa foli për takimin që zhvilloi të mërkurën mbrëma me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun me Serbinë, Miroslav Lajçak, Kurti tha se nuk do të tolerohet që në këtë proces, Asociacioni të vihet si parakusht. Sipas tij, asnjë nga 33 marrëveshjet e nënshkruara në dialogun e Brukselit nuk duhet të ketë prioritet hierarkik dhe se “10 nenet në planin evropian nuk tolerojnë që një nen nga fundi të sillet si i pari”.

Advertisement