Aktualitet
Lojë spiunësh, ja vendi ku fshiheshin rusët
Dy rusë dhe një ukrainas janë arrestuar para pak ditësh në Gramsh pasi akuzohen për spiunazh. 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, 23-vjeçari Mikhail Zorin dhe një ukrainas, Fiodor Mihailoviç u arrestuan pasi tentuan të futen me forcë në uzinën e armëve në Gramsh dhe njëri prej tyre sulmoi dy ushtarët roje të uzinës.
Prej disa ditësh këta shtetas të huaj që paraqiteshin si turistë ishin parë duke lëvizur nëpër qytet me një “Chevrolet” të kuq me targa ukrainase. Së fundmi në media është zbuluar se këta shtetas nuk kanë qëndruar dhe fjetur gjatë tre ditëve në asnjë hotel në Gramsh, por kanë fjetur dhe kanë qëndruar në kodër lart uzinës së Çekinit, ku ndodhet një ish-repart ushtarak i braktisur.
Rusët dhe ukrainasai kanë qëndruar dhe fjetur në këtë ish-repart ushtarak të braktisur që nuk ka më asnjë funksion për tre net. Edhe dëshmitarët okularë e kanë konfirmuar këtë fakt duke thënë se i kanë parë tre të huajt të qëndronin brenda në ish-repartin ushtarak të braktisur.
Qëndrimi i tyre në repartin e vjetër shton edhe më tepër dyshimet se shtetasit kanë vëzhguar me detaje uzinën e Çekinit duke qëndruar në një vend ku nuk ishin të ekspozuar dhe kishin mundësi të afroheshin te uzina e Çekinit.