Kosova
Londra kërkon asociacionin/ Ambasadori: Mbështesin synimin e BE-së për ta formuar

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Serbi, Edward Ferguson, ka thënë se Londra dëshiron shumë që në Kosovë të formohet Unioni i Komunave Serbe
“Ne duam të shohim formimin e asociacionit dhe vazhdojmë ta mbështesim BE-në në ketë drejtim”, tha Ferguson në një intervistë për Tanjug, duke iu përgjigjur pyetjes se a mund të pritet që pikërisht kjo ftesë e Këshillit të BE-së drejtuar Prishtinës për të formuar asociacionin, do të jetë e një rëndësie vendimtare që pas 12 vitesh ky obligim nga Marrëveshja e Brukselit do të përmbushet, veçanërisht duke ditur që pas thirrjeve të shumta të zyrtarëve ndërkombëtarë, nuk është bërë asgje.
Ambasadori shtoi se nuk mund t’i parashikojë gjërat, por gjithashtu beson se ata që përpiqen ta bëjnë këtë zakonisht nuk janë shumë të suksesshëm.
Ferguson theksoi se Londra do të donte të shihte miratimin e Draft Statutit të asociacionit të propozuar nga BE-ja.
“Ne mendojmë se është një mënyrë e rëndësishme për t’i ofruar shërbime komunitetit serb në veri të Kosovës”, tha Ferguson, duke shtuar se ka edhe obligime që Beogradi i ka marrë, siç është mos minimi në rrugën e Prishtinës per tu bere pjese e organizatave të ndryshme ndërkombëtare.
Ambasadori tha se Londra nuk është e kënaqur me situatën e sigurisë në Kosovë, si dhe se janë të shqetësuar nga sulmi ndaj trupave të NATO-s, ngjarjet në Banjskë dhe shpërthimi i kanalit afër Zubin Potokut.
“Është vërtet shqetësuese dhe është e nevojshme të bëhet një hetim i shpejtë, efikas dhe i plotë që do të identifikojë përgjegjësit dhe pastaj drejtësia duhet të jetë e shpejtë, sepse është në interesin e të gjithëve, jo vetëm në Kosovë dhe Serbi, por në tërësi ne rajon”, tha Ferguson duke shtuar se “Interesi ynë thelbësor është ruajtja e paqes dhe stabilitetit. Ajo që ne në thelb duam është të shohim përparim drejt paqes së qëndrueshme”.

