Aktualitet
Lubonja: Duhet hetuar Rama për ekzekutimet e katër protestuesve më 21 janar
Fatos Lubonja ka komentuar vendimin e Gjykatës së Lartë që hetimet e “21 janarit” t’i kalojnë SPAK-ut. Lubonja thotë se beson se këto janë vendime që merren nga PS, duke shtuar se nuk ka drejtësi të pavarur. Ai theksoi se përgjegjës për ngjarjen e rëndë janë të dyja palët.
“Për vendimin për 21 janarin, do të thosha se këto janë vendime të PS, nuk ka drejtësi të pavarur. Ngjarja është e rëndësishme, por se nuk është bërë asnjëherë drejtësi, por është instrumentalizim politik. Kjo sepse nëse do të bëhej drejtësi e vërtetë, përgjegjësit për vrasjet janë të dyja palët. Unë shoh përgjegjëse të dyja palët, të dyja palët duhen hetuar”, – tha Lubonja në News24.
Më tej, ai komentoi edhe marrëveshjen mes maxhorancës dhe opozitës së drejtuar nga Berisha, që kjo e fundit të hyjë në Kuvend dhe të ngrihen dy Komisione Hetimore. Sipas tij, nga marrëveshja fiton më shumë Rama sesa opozita.
Mendoj se maxhoranca ka shumë gurë, që i lëviz këtej e andej. Edhe marrëveshjet janë strategji, që bëhen më së shumti për interesa të maxhorancës. Me këtë marrëveshje, duket sikur maxhoranca po e njeh “Rithemelimin”. Edhe ndërkombëtarët kanë kërkuar normalitet në parlament.
Opozita ka nevojë për një mbështetje më të madhe të njerëzve. Gjithashtu opozita duhet të reflektojë edhe për bashkim sa më të gjerë, por duket se nuk kanë fuqi për këtë punë. Me këtë situatë, Rama merr më tepër fitore se opozita. Për Ramën, legjitimimi ndërkombëtar është i rëndësishëm.