Connect with us

Bota

Luf’ta 12-ditore/ Mediat iraniane: Presidenti Pezeshkian u plagos gjatë bombardimeve izraelite

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, i shpëtoi për pak vdekjes gjatë luftës 12-ditore me Izraelin, sipas raportimeve të mediave iraniane. Agjencia gjysmëzyrtare iraniane Fars raportoi të shtunën se më 16 qershor, tre ditë pas nisjes së konfliktit, Forcat Ajrore izraelite bombarduan një kompleks të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit.

Agjencia e lajmeve iraniane raportoi se gjashtë raketa goditën hyrjet dhe daljet e godinës, një taktikë e ngjashme me atë të përdorur në sulmin izraelit kundër liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah. Pas sulmit, ndërtesa mbeti pa energji elektrike.

Në momentin e bombardimit, në ndërtesë po zhvillohej një mbledhje. Të pranishmit, përfshirë presidentin Pezeshkian, arritën të strehoheshin në një vend të sigurt, megjithatë disa u plagosën, përfshirë vetë Pezeshkianin, i cili mësohet të ketë marrë lëndime në këmbë.

Në një intervistë të dhënë rreth një javë më parë për gazetarin amerikan Tucker Carlson, Pezeshkian kishte folur për atentatin ndaj tij, duke lënë të kuptohet se saktësia e sulmit mund të jetë pasojë e një rrjedhjeje nga shërbimet iraniane të inteligjencës.

Advertisement