Aktualitet
‘Lufta’ e tarifave tregtare, si preket Shqipëria nga vendimet e Trump
Lufta e tarifave ka nisur. Pas Kinës, Meksikës dhe Kanadasë, presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar edhe Bashkimin Europian.
Ai ka njoftuar se do të vendosë tarifa të rënda edhe ndaj bllokut me 27 vende anëtare, duke vijuar më tej luftën e tij tregtare. Vendet të cilat pritet të penalizohen nga rritja e tarifave janë partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë.
Vitin e kaluar, ne zhvilluam 57.4% të totalit të tregtisë me Bashkimin Europian.
Shkëmbimet ishin më të ndjeshme në kahun e eksporteve, duke bërë që këto vende të jenë tregje të rëndësishme për produktin “Made in Albania”.
Por cilët janë më konkretisht vendet kryesore me të cilat ne bëjmë tregti, për të kuptuar sesa do të preken ato nga lufta tregtare e nisur tashmë?
Partneri kryesor tregtar, si në kahun e eksporteve, ashtu edhe importeve është Italia, vend anëtar i Bashkimit Europian. Partneri i dytë është Kina, ndaj të cilës gjithashtu presidenti Trump ka vendosur rritjen e tarifave me 10%. Pason Turqia dhe Greqia. Kjo e fundit gjithashtu vend anëtar i bllokut europian.
Por si paraqiten shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës?
Të dhënat tregojnë, se vitin e kaluar, eksportet drejt SHBA-ve kanë pësuar rënie, ndërkohë që janë rritur importet. Thënë ndryshe, ne kemi blerë më shumë mallra e produkte nga ky vend sesa kemi shitur./ A2 CNN