Connect with us

Bota

Lufta/ Izraeli bombardon Gazan me 100 avionë njëkohësisht, Hamasi përgjigjet me raketa

Izraeli ka nisur një bombardim intensiv mbrëmjen e sotme (27 tetor) në Rripin e Gazës, sidomos në zonën veriore, me më se 100 avionë të cilët janë angazhuar për bombardime në të njëjtën kohë. Videot e shpërndara në rrjet tregojnë shpërthime dhe tym mbi qytetin e Gazës. Ndërkohë, Hamasi është përgjigjur me breshëri raketash në Tel Aviv, në aeroportin Ben Gurion dhe në qytete në qendër të shtetit hebre si Ramat Gan, Or Yehuda, Rishon LeZion, Holon, Ashdod dhe Ashkelon. Izraeli paralajmëroi se forcat tokësore do të “zgjerojnë operacionet gjatë natës”. Zëdhënësi ushtarak Daniel Hagari tha se kanë shtuar sulmet në Gaza, ndërsa u bënë thirrje banorëve të qytetit të Gazës të lëvizin në jug për sigurinë e tyre. “Në orët e fundit kemi shtuar sulmet në Gaza. Forcat ajrore sulmojnë gjerësisht objektivat nëntokësore dhe infrastrukturën terroriste, në mënyrë shumë të konsiderueshme. Në vazhdim të aktivitetit sulmues që kemi zhvilluar ditët e fundit, forcat tokësore po zgjerojnë aktivitetin tokësor mbrëmjen e sotme”, tha ai. Përveç sulmeve masive, Hamasi pretendon se tanket izraelite janë futur në Rripin e Gazës dhe ka përleshje. Nga ana tjetër, Mbrojtja izraelite në një deklaratë thotë se ky nuk është nj ëpushtim zyrtar tokësor. Zëdhënësi i Netanyahut ka thënë për mediat e huaja: “Sonte fillon pika e kthesës, Hamasi do të ndjejë zemërimin tonë”. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar me një shumicë dërrmuese një rezolutë që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza. 120 shtete votuan pro, 14 kundër dhe 45 abstenime. Rezoluta, e paraqitur nga Jordania në emër të grupit arab, dënon gjithashtu të gjitha aktet e dhunës kundër civilëve palestinezë dhe izraelitë, duke përfshirë të gjitha “sulmet terroriste dhe pa dallim”. Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë ligjërisht detyruese. Nga ana tjetër, SHBA ka bërë thirrje për një armëpushim humanitar për të lejuar që të shpërndahet për civilët uji, ushqimi dhe karburanti.  Me urdhër të Presidentit amerikan, Joe Biden, avionët ushtarakë amerikanë, sulmuan grupet e militantëve të mbështetur nga Irani në Siri, të cilët kishin sulmuar trupat amerikane në vend dhe në Irak pas sulmeve të 7 tetorit në Izrael. Këtë e ka bërë të ditur Pentagoni në një shënim. Gjashtë persona u plagosën kur një raketë goditi spitalin në Tabë, një qytet egjiptian në kufi me Izraelin, i cili ka qenë në luftë me Hamasin që nga 7 tetori. Ushtria izraelite hyri mbëmjen e djeshme në veri të Gazës për herë të tretë brenda 24 orësh dhe sulmoi bazën e Hamasit, disa prej tyre në qytetin e Gazës. Këtë e ka bërë të ditur vetë IDF, sipas asaj që raportojnë mediat izraelite. Sipas ushtrisë, objektivat janë anëtarët e Hamasit, platformat e lëshimit të raketave antitank dhe selia e Hamasit, u raportua po ashtu se asnjë ushtar nuk u lëndua.

Hamasi: Tanket izraelite futen në Gaza! Mbrojtja e Izraelit: Nuk është një pushtim tokësor


Izraeli ka nisur një sulm masiv në Rripin e Gazës. 100 avionë u angazhuan njëkohësisht për të bombarduar në veriun e Gazës, ndërsa Hamasi thotë se tanket izraelite po futen në Gaza. Në kufi ka përleshje me forcat e Hamasit. Njësia e parë e tankeve që hyri në Gaza ishte Hativa 7, Brigada e 7-të e Tankeve, ajo që ndaloi sirianët në vitin 1973 në Golan. Mbrojtja izraelite në një reagim tha se “Aktiviteti që po zhvillohet në Gaza nuk është një pushtim zyrtar tokësor”. 

Advertisement