Aktualitet
Lufta kundër terrorizmit e sulmet kibernetike, MEK: Policia vrau 2 persona, MB: Nuk ka humbje jete
• Tensione në kampin e muxhahedinëve në Manëz të Durrësit. • Prej mëngjesit të sotëm, Policia e Shtetit ka zbarkuar në kamp me urdhër të GJKKO-së, për të ushtruar kontrolle në të gjitha ambientet dhe zyrat ku janë strehuar aktivistë të opozitës iraniane. • Burimet thanë se po ushtrohen kontrolle të imtësishme në pajisje elektronike si kompjutera, telefonë, dronë, etj, por kanë hasur në probleme me sekuestrimin e tyre, pasi qytetarët iranianë nuk kanë pranuar që të dorëzojnë mjetet e tyre. • Po ashtu, zëdhënësi i MEK, pretendon se gjatë përplasjeve me Policinë, dy qytetarë kanë mbetur të vdekur dhe disa të tjerë u plagosën. • Megjithatë për këtë informacion të ndarë nga MEK, nuk ka asnjë konfirmim nga Policia e Shtetit. • Ministria e Brendshme gjatë në një njoftim për mediat ka mohuar pretendimet e banorëve, duke theksuar se deri më tani nuk ka asnjë humbje jete. • Urdhri i kontrolleve bëhet në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe parandalimin e sulmeve kibernetike, e raportohet se deri më tani janë lëshuar 70 urdhër-arreste për iranianët që janë strehuar në kampin e MEK në Manzë të Durrësit. • Kampi ‘ASHRAF 3’ prej vitit 2013 strehon rreth 3000 opozitarë iranianë, por në shtator të vitit 2022, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, pas një sulmi kibernetik. • Shërbimet online u sulmuan nga grupi i ashtuquajtur ‘Homeland Justice’.
Ministria e Brendshme mohon viktimat e pretenduara nga MEK: Nuk ka pasur humbje jete. Muxhahedinët shkelën marrëveshjen e vitit 2014
TIRANË– Vjen reagimi i parë nga Ministria e Brendshme pas aksionit të zhvilluar në ambientet e opozitës iraninane në kampin e MEK në Manzë. Sipas Ministrisë së Brendshme, pohohet se ka pasur përplasje mes efektivëve të Policisë së Shtetit dhe opozitës iraniane, që sipas tyre thyen marrëveshjen, pasi në vitin 2014 u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare.
“Fatkeqësisht brenda kampit ka pasur rezistencë ndaj kryerjes së punës së Policisë së Shtetit, çka bie ndesh me kuadrin procedural të zbatimit të ligjit. Bazuar në të dhënat e Policisë së Shtetit, gjatë operacionit nuk ka pasur humbje jete dhe as të lënduar. Për çdo pretendim për humbje jete në spitalin e vendqëndrimit të tyre po bëhen të gjitha verifikimet proceduriale,“-thuhet ndër të tjera në njoftim, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë të vdekur gjatë aksionit të tyre.
Reagim i Ministrisë së Brendshme
Operacioni i sotëm i Policisë së Shtetit në vendqëndrimin e MEK në Manëz të Durrësit është në zbatim të plotë të urdhrit të SPAK dhe vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Vendimi i Gjykatës është pasojë e veprimeve që bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK prej vitit 2014 kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. Fatkeqësisht ky grupim nuk iu është përmbajtur këtyre angazhimeve duke thyer marrëveshjen. Ndërhyrja e Policisë së Shtetit ka qënë konform ligjit dhe në zbatim korrekt të procedurave që kërkojnë operacione të tilla. Veprimet e Policisë së Shtetit për zbatimin e ligjit janë kryer si në çdo pjesë tjetër të territorit të Republikës së Shqipërisë. Fatkeqësisht brenda kampit ka pasur rezistencë ndaj kryerjes së punës së Policisë së Shtetit, çka bie ndesh me kuadrin procedural të zbatimit të ligjit. Bazuar në të dhënat e Policisë së Shtetit, gjatë operacionit nuk ka pasur humbje jete dhe as të lënduar. Për çdo pretendim për humbje jete në spitalin e vendqëndrimit të tyre po bëhen të gjitha verifikimet proceduriale.
Pasi ka përfunduar kontrolli i Policisë së Shtetit në kampin e muxhahedinëve në Manzë të Durrësit, policia shqiptare ka reaguar lidhur me deklaratat e zëdhënësit të MEK, ku pretendohet sipas deklarimeve të banorëve se një qytetar i kampit është vrarë dhe disa janë plagosur. Policia shqiptare në rrugë jo zyrtare bën me dije se një mashkull 60-70 vjeç ka ndërruar jetë në kamp si pasojë e një arresti kardiak dhe se është dërguar për ekpertizë mjekësore.