Kosova
Lufta në prag/ Maqedonci flet për “rrezik shumë të lartë”
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se bazat operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe përreth kufirit me Kosovën janë “një kërcënim i vazhdueshëm” dhe sipas tij, ka patur një dislokim të madh të ushtrisë, policisë dhe xhandarmërisë serbe në jug të Serbisë”.
“48 bazat e përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe janë diku nga 300 metra deri në 5 kilometra nga vija kufitare e Kosovës dhe janë të drejtuara armiqësisht kundër territorit tonë. Përveç këtyre 48 bazave, është për tu theksuar edhe fakti që 3 nga 4 brigadat e ushtrisë serbe janë të dislokuara në jug të territorit të Serbisë, dhe ato të drejtuara armiqësisht kundër Kosovës” – tha ministri në një intervistë për ‘The Geopost.’
Maqedonci tha gjithashtu se shumica e kapaciteteve luftarake të Serbisë, “duke përfshirë edhe kapacitetet që janë blerë nga Kina dhe Rusia, janë të dislokuara në jug të territorit të Serbisë”, dhe kjo sipas tij, “nuk paraqet kërcënim vetëm për Kosovën, por, për të gjithë regjionin e Ballkanit Perëndimor dhe për vendet tjera që kufizohen me Republikën e Kosovës”.
“Duke i shtuar kësaj edhe veprimet e fundit që janë ndërmarrë nga grupe të armatosura paramilitare të udhëzuara nga strukturat e sigurisë së Serbisë, ky rrezik është shumë i lartë” – tha ministri Maqedonci.