Connect with us

Bota

Lufta në Ukrainë/ Zelensky: Kemi nevojë për të paktën shtatë sisteme të mbrojtjes ajrore ‘Patriot’

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy u tha anëtarëve të NATO-s të premten se Ukrainës i duhen të paktën shtatë sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot ose sisteme të tjera të nivelit të lartë për t’u mbrojtur nga sulmet ruse, duke i nxitur ata të rrisin ndihmën e tyre ushtarake për Kievin.

Në një fjalim me video gjatë takimit të Këshillit NATO-Ukrainë në Bruksel, udhëheqësi ukrainas e përshkroi nivelin aktual të ndihmës së huaj si “shumë të kufizuar”. Ai iu kujtoi atyre se Izraeli nuk u la i vetëm të mbrojë veten përballë sulmit masiv ajror të Iranit të shtunën.

“(Presidenti rus Vladimir) Putin duhet detyruar të ndalojë sulmet dhe hapësira jonë ajrore duhet të bëhet përsëri i sigurt. Kjo varet plotësisht nga zgjedhja juaj… një zgjedhje që do të tregonte nëse ne jemi vërtet aleatë”, tha Presidenti Zelenskiy në fjalimin e tij.

Rusia ka shtuar intensitetin e sulmeve ajrore të saj me raketa me rreze të gjatë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës dhe qyteteve të saj në javët e fundit. Kjo ka rritur trysninë ndaj Kievit ndërsa forcat më të fuqishme dhe me më shumë pjesëtarë të Moskës po avancojnë ngadalë në fushën e betejës në pjesën lindore të Ukrainës.

 

 

Vetëm këtë vit, tha Presidenti Zelenskiy, Ukraina ishte sulmuar nga pothuajse 1,200 raketa ruse, më shumë se 1,500 dronë dhe 8,500 bomba ndërsa përkrahja ushtarake perëndimore është ngadalësuar.

“Ne po e themi këtë drejtpërdrejt, për t’u mbrojtur, na duhen edhe shtatë sisteme “Patriot” ose sisteme të ngjashme të mbrojtjes ajrore. Ky është një numër minimal i asaj që na duhet. Këto sisteme mund të shpëtojnë shumë jetë dhe të ndryshojnë situatën”, tha ai.

Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg tha pas takimit të ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare, vendeve aleate dhe zotit Zelenskiy se aleatët kishin rënë dakord t’i siguronin Kievit sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore.

“Përveç Patriotëve, ka armë të tjera që aleatët mund të ofrojnë, duke përfshirë (sistemin që është prodhim francez) SAMP/T. Shumë vende të tjera, të cilët nuk kanë në pronësi sisteme të tilla, janë zotuar të ofrojnë mbështetje financiare për t’i blerë ato për Ukrainën”, zoti Stoltenberg u tha gazetarëve në Bruksel.

NEVOJA URGJENTE

Presidenti ukrainas Zelenskiy tha se trupave të Kievit u duhen edhe raketa me rreze të gjatë dhe predha artilerie.

“Këtë vit mezi presim që të merren disa vendime”, tha ai.

Ndihma ushtarake amerikane është vonuar me muaj të tërë në Kongres, por Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë të shtunën mbi një projektligj që përfshinë dhjetëra miliarda dollarë ndihmë ushtarake.

“Ne po presim një mbështetje të re nga Shtetet e Bashkuara – mbështetja amerikane ka qenë në pikëpyetje për një kohë të gjatë”, tha Presidenti Zelenskiy.

Fjalimi i tij u mbajt në Këshillin NATO-Ukrainë me dyer të mbyllura, por zyra e tij publikoi tekstin dhe videon e tij në faqen e saj të internetit.

Advertisement