Connect with us

Shkrime

Lufta për pushtet në Rumani dhe aleanca e re mes Kremlinit dhe Trump

Në skajin lindor të Europës, po zhvillohet një betejë ekzistenciale për kuptimin e vërtetë të demokracisë. Qeveria e Donald Trump thotë se është aty për të dhënë ndihmën e tij.

Rumania, një vend me 19 milionë banorë që kufizohet me Ukrainën, është bërë qendra e një konflikti transatlantik midis aleatëve të presidentit amerikan dhe qendrës europiane, e cila ka frikë se një proces zgjedhjesh shumë i rëndësishëm po manipulohet nga Moska.

Në qendër të kësaj lufte është një krizë kushtetuese që shpërtheu në nëntor, kur kandidati ultranacionalist dhe pro-rus Călin Georgescu u ngjit papritur në krye dhe fitoi raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

Në mes të tronditjes së përgjithshme në Bukuresht dhe më gjerë, autoritetet nisën të hetonin fushatën e Georgescut. Ata zbuluan parregullsi financiare dhe lidhje të dyshimta me figura të errëta. Kishte gjithashtu raporte që ai kishte përfituar nga ndërhyrje të huaja, përfshirë një operacion masiv ndikimi në TikTok. Gishti i akuzës u drejtua drejt Rusisë.

Në dhjetor, disa ditë përpara balotazhit midis Georgescut — i cili ka kritikuar NATO-n dhe ka shprehur admirim për Vladimir Putinin — dhe një kandidati proeuropian, Gjykata Kushtetuese e Rumanisë vendosi që i gjithë procesi i zgjedhjeve ishte kompromentuar dhe duhet të anulohej.

Një rivotim është planifikuar për në maj, ndërsa hetimet vazhdojnë. Por të dielën, autoritetet zgjedhore ndaluan Georgescun nga pjesëmarrja në zgjedhje. Ai ka disa ditë për të apeluar vendimin, por gjasat janë që përpjekja e tij të dështojë.

Për kritikët cinikë të vendimit — përfshirë miliarderin dhe këshilltarin e fuqishëm të Trumpit, Elon Musk — ky është një tjetër shembull i manipulimit nga establishmenti europian, ku partitë tradicionale bashkohen me “deep state” për të mbajtur pushtetin.

Problemi për demokracinë rumune është se shumë brenda vendit, mes tyre edhe vëzhgues neutralë, shohin një farsë të vërtete në këtë akuzë. Zemërimi dhe zhgënjimi me sistemin politik është i madh. Georgescu u ofroi zgjedhësve një ndryshim radikal.

Nga njëra anë janë ata që mbështesin BE-në në Bukuresht, Bruksel dhe gjetkë, të cilët besojnë se Rumania ka rënë pre e një operacioni klasik të ndikimit rus, i cili ka ndërhyrë në zgjedhjet e një vendi tjetër europian.

Nga ana tjetër janë ata që besojnë se Georgescu është viktimë e një komploti për të mbajtur elitat e vjetra në pushtet. Reagimi ndaj ndalimit të tij ishte i menjëhershëm. Mbështetësit e Georgescut u përplasën me policinë jashtë zyrës zgjedhore dhe mbushën rrjetet sociale me zemërim.

Vetë Georgescu përqafoi narrativën e një konspiracioni global, duke e bërë problemin e tij ndërkombëtar. “Një goditje e drejtpërdrejtë në zemër të demokracisë botërore,” shkroi ai në platformën X të Musk. “Nëse demokracia në Rumani bie, bie gjithë bota demokratike! Ky është vetëm fillimi. Është kaq e thjeshtë! Europa tani është një diktaturë, Rumania është nën tirani!”

Çdo detaj i historisë së Georgescut e bën atë një kauzë tërheqëse për aleatët e Trumpit. Si kandidat i pavarur, ai kundërshtoi të drejtat e LGBTQ+, kritikoi BE-në dhe mbështetjen për Ukrainën, dhe shprehu admirim për Putinin, regjimin e kaluar fashist të Rumanisë dhe… Drakulën!

Në videot e tij në TikTok ai shfaqej duke vrapuar në pistë sportive dhe duke hipur mbi një kalë me veshje tradicionale rumune. Musk dhe nënpresidenti amerikan JD Vance kanë denoncuar që prej dhjetorit anulimin e zgjedhjeve si një dëshmi që Europa është e kapur nga elitat që nuk pranojnë rezultatet që nuk u pëlqejnë.

Të dielën, Musk shpërndau postime në X që dënonin ndalimin e Georgescut dhe e cilësoi vendimin “të çmendur”. Komente të tilla vetëm sa e ndezin më shumë tensionin në Rumani.

“Nëse këto deklarata përsëriten nga Vance, Musk apo kushdo tjetër, njerëzit do të ndihen të konfirmuar në pakënaqësinë e tyre nga administrata Trump,” tha Oana Popescu-Zamfir, drejtoreshë e GlobalFocus Center, një qendër studimore mbi politikën e jashtme dhe sigurinë në Bukuresht. “Kjo nuk është vetëm ndërhyrje ruse, por një ndërhyrje e dyfishtë nga Rusia dhe nga Uashingtoni.”

Lidhja e re mes Kremlinit dhe Shtëpisë së Bardhë po i huton politikanët në Bukuresht. Gjatë Luftës së Ftohtë, Rumania ishte një nga vendet më pro-perëndimore nën komunizëm, duke mbajtur lidhje me SHBA-në ndërkohë që qëndronte skeptike ndaj Moskës.

Sot, shumica e politikanëve rumunë dhe një pjesë e mirë e votuesve e shohin anëtarësimin në NATO dhe orientimin pro-perëndimor si të panegociueshëm. Rumania strehon një bazë të rëndësishme raketash të SHBA-së dhe një bazë të madhe të NATO-s, që po zgjerohet për t’u bërë më e madhja në Europë. Ajo ka qenë gjithashtu një hallkë kyçe për transportin e ndihmave për Ukrainën.

Por epoka e Trumpit e ka ndryshuar gjithçka. Tani, orientimi pro-Uashingtonit nuk do të thotë më detyrimisht një qëndrim anti-rus.

“Gjithçka përfundimisht i shërben Kremlinit,” tha Popescu-Zamfir. “Ka pasur aq shumë lidhje mes Georgescut, mbështetësve të tij dhe Kremlinit, sa në një vend si Rumania, me shumë ndjenja anti-ruse, normalisht njerëzit do të duhej të distancoheshin. Por po ndodh e kundërta.”

Me amerikanët që duken të gatshëm të bashkëpunojnë me Moskën, shumë rumunë mund të ndihen të dorëzuar përballë ndikimit rus, tha ajo.

“Ky është objektivi final i Kremlinit: kaos dhe konfuzion në periudhën afatshkurtër – dhe këtë tashmë e kanë arritur – dhe në periudhën afatgjatë, një praninë më të fuqishme dhe më të frikshme,” tha Popescu-Zamfir. “Nuk kanë nevojë të jenë të dashur, mjafton të jenë të frikshëm. Dhe këtë po e arrijnë.”

Politico.eu

Advertisement