Bota
Luftë për pushtetin në Teheran pas vdekjes së Khameneit, Garda Revolucionare përplaset me klerin
Irani ende nuk ka shpallur Liderin e ri Suprem, disa ditë pas vdekjes së Ali Khameneit, ndërsa në Teheran po zhvillohet një betejë e brendshme për pasardhësin e tij.
Sipas raportimeve të mediave të opozitës iraniane, mes tyre Iran International me seli në Londër, emri që po përmendet më shpesh është ai i Mojtaba Khameneit, 56 vjeç, djali i liderit të ndjerë.
Katër ditë më parë, nga Asambleja e Ekspertëve, organi prej 88 klerikësh që zgjedh Liderin Suprem, ai doli si kandidati kryesor. Megjithatë, vendimi nuk është ratifikuar ende. Të enjten, anëtarët e asamblesë u mblodhën në videokonferencë për të formalizuar zgjedhjen, por mbledhja përfundoi pa rezultat.
Sipas burimeve të cituara nga Iran International, të paktën tetë anëtarë të asamblesë bojkotuan seancën emergjente, duke denoncuar “presion të fortë” nga Garda Revolucionare iraniane (IRGC) për të imponuar kandidaturën e Mojtaba Khameneit.
Burimet pretendojnë se përfaqësues të Gardës Revolucionare kanë kontaktuar vazhdimisht disa anëtarë të asamblesë para votimit për të ndikuar në vendim.
Në qendër të debatit është edhe çështja e nepotizmit. Disa klerikë argumentojnë se emërimi i djalit të liderit të ndjerë do ta bënte sistemin politik iranian të ngjashëm me një monarki fetare, duke kundërshtuar parimet mbi të cilat u themelua Republika Islamike pas revolucionit të vitit 1979.
Ndërkohë, sipas burimeve të cituara nga Reuters, që nga fillimi i luftës në rajon Garda Revolucionare ka rritur ndjeshëm ndikimin e saj në vendimmarrjen politike në Iran.
Disa anëtarë të Asamblesë së Ekspertëve kanë shprehur gjithashtu dyshime për profilin e Mojtaba Khameneit, duke argumentuar se ai nuk ka peshën e nevojshme fetare dhe juridike për postin më të lartë të sistemit politik iranian.
Pas njoftimit për vdekjen e Ali Khameneit, presidenti iranian Masoud Pezeshkian kishte deklaruar se brenda disa ditësh vendi do të kishte një lider të ri suprem. Megjithatë, përplasjet brenda elitës politike dhe fetare duket se po e vonojnë procesin.
Përveç Mojtaba Khameneit, në diskutim janë përmendur edhe emra të tjerë si Alireza Arafi, zëvendëspresident i Asamblesë së Ekspertëve, ish-presidenti Hassan Rouhani, si dhe Hassan Khomeini, nipi i themeluesit të Republikës Islamike, Ruhollah Khomeini.
Pavarësisht përplasjes së brendshme, burime politike në Teheran theksojnë se zgjedhja e liderit të ri do të bëhet brenda strukturave iraniane, duke hedhur poshtë çdo sugjerim për ndikim nga jashtë. /Përshtatur nga ‘Corriere Della Sera’