Kosova
Lule te varri Ademit, avokati serb sfidon hapur Vuçiçin/ Sanduloviç lirohet nga paraburgimi
Politikani opozitar serb, Nikolla Sanduloviç, është liruar nga paraburgimi ku mbahej në qytetin jugor të Serbisë, Nish.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tij mbrojtës, Çedomir Stojkoviç, duke sqaruar se ky vendim u mor “pas trysnisë së shtuar” nga vendet e Perëndimit.
Sanduloviç, bëri homazhe më 2 janar në kompleksin “Adem Jashari”, në Prekaz duke vendosur një kurorë në monumentin që përkujton ngjarjet e 5, 6 dhe 7 Marsit 1998, kur forcat serbe vranë mbi 50 anëtarë të familjes së Adem Jasharit, një nga themeluesit e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Unë jam i vetmi politikan nga Serbia që kam ardhur për të nderuar viktimat e pafajshme shqiptare, familjen Jashari në Prekaz. Unë kërkova falje personale por edhe në emër të serbëve që nuk e kanë bërë këtë” – pati shkruar opozitari serb.
Një ditë pas kësaj video, avokati i tij, Çedomir Stojkoviç, bëri të ditur se Sanduloviçi ishte arrestuar më 3 janar, se familja e tij nuk kishte asnjë informacion për vendndodhjen e tij dhe se “jeta e tij ishte në rrezik nga dhuna barbare e forcave të sigurisë serbe BIA”.
Gjithashtu avokati tha se edhe ai do të vendos lule në varrin e familjes Jashari.
“Te enjten do shkoj në Kosovë. Do shkoj personalisht në varrin e familjes Jasharit dhe do vendos lule në varrin e Blerina Jasharit, të miturës që u vra në vitin 1998 dhe më pas do të kthehem në Serbi dhe do e shikoj vendin tim në sy. Do i them “ja ku jam, do më arrestoni? Do të më dhunoni dhe mua?”, tha avokati serb.