Shkrime
Lulzim Basha, mos u kthe
Nga Roland Qafoku
Me një bluzë me mëngë të shkurtra ngjyrë të zezë, të kombinuar me të zezën e flokëve të lyer dhe të mbjellë pjesërisht. Me një palë pantallona xhinse lisho dhe me të vetmin aksesor në duar, unazën e martesës. Me një fjalor që të krijonte instiktin për të thënë “se ku e kam dëgjuar këtë zë”. Me një sfond rrethor mes një gjelbërimi me rreth 30 të rinj që më shumë e kishin mendjen te apartet e celularëve por ai i quajti Forumi Rinor i PD, Lulzim Basha pothuajse na lajmëroi të mërkurën që shkoi, se erdhi ….vera. Në fakt, na lajmëroi se ai po kthehet në krye të PD-së zyrtare. Edhe pse dukej se gjithçka ishte e shoqëruar me një përpjekje për të kuruar çdo detaj, në faqen e tij në facebook interesi la për të dëshiruar. Postimi i kësaj daljeje me zë, figurë dhe titra, në faqen e tij zyrtare në facebook, mori vetëm 670 likes, 200 komente, shumica kundër, dhe 37 shares. Dhe e gjithë kjo u shoqërua edhe me një gabim të trashë ortografik teksa shkruhej me gërma të mëdha BRAGTISUR, në vend të BRAKTISUR. Dhe askush nuk ka aftësinë në stafin e tij për ta korigjuar këtë. Ndërsa me gjuhën e trupit, në atë dalje të beftë, si gjithnjë, ai dukej i pasigurtë dhe gjithë frikë se si do pritej. Të njëjtën skenë e përsëriti edhe të shtunën në Shkodër, po me të rinj, po me atë kujdesje, po me atë retotrikë fjalësh që nuk të mbeten fare nw mendje, por me të vetmin ndryshim, marka e bluzës qw mbante nw trup, këtë herë ishte ngjyrë kaki alla Volodymyr Zelenskyy. Nuk duhet të kesh trurin e Leonardo Da Vincit për të kuptuar se ai do kthehet si kryetar i Partisë Demokratike zyrtare dhe me këtë duhet tu japim të drejtë disa faqeve humoristike në rrjetet sociale kur shkruajtën se “u kthye ai që na jep bukë”. Politikani që qendroi në krye të PD 8 vjet, 7 muaj e 7 ditë, nga 23 korriku 2013 kur mori detyrën e deri në 21 mars 2022 kur dha dorëheqjen, po tregon se jo vetëm nuk ka ndryshuar, por po imponohet tek ajo parti që ka mbetur të kapë sërish vendin që e la bosh, por jo në gjykatë. Pas 1 viti e dy muaj pushim nga dorëheqja, edhe kjo me stilin e tij, befas, Lulzim Basha i ka mbushur mendjen vetes se po realizon një kthim triumfator dhe shqiptarët duhet të emocionohen nga kjo “sakrificë” që ta bën mishin kokrra-kokrra. Se ky kthim është gati-gati si kthimi i Skënderbeut në Krujë më 28 nëntor 1443, apo kthimin e Ismail Qemal Vlorës në Vlorë më 28 nëntor 1912.
Po cilat janë arsyet që Lulzim Basha nuk duhet të kthehet në krye të PD? Gjithçka lidhet me ato që ai bëri dhe nuk bëri gjatë kohës që e drejtoi këtë parti.
1. Lulzim Basha është ai që e shkatërroi dhe e ndau Partinë Demokratike. Ai është autori i asaj që po ndodh në këtë parti dhe në asnjë moment nuk pati aftësinë, kurajon dhe guximin për të bërë të mundur ta ruajë këtë parti nga përçarja dhe ndarja e madhe ku ajo ndodhet aktualisht. Përbetimet e tij se ai e mori këtë apo atë vendim për të shmangur përçarjen e partisë, janë të denja për ta besuar vetëm ndonjë me IQ të ulët nga ata që e rrethojnë.