Kosova
Lutfi Haziri: Hovenier largoi frikën nga Zajednica që mbolli Kurti
Sipas nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, adresimi i ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ishte mesazh për popullin e Kosovës, që kishte për qëllim, të largonte frikën që mbolli kryeministri Albin Kurti, për këtë mekanizëm.
Kryeministri Albin Kurti, gjatë kohës sa kishte qenë në opozitë, ishte kundërshtari më i madh i Asociacionit, madje preferonte ta quante në gjuhën serbe “Zajednica”, kjo për të treguar kinse dëmin që i kanosej Kosovës në rast implementimi.
Për ta kundërshtuar Asociacioni, Kurti dhe partia që ai drejton, Lëvizja Vetëvendosje, patën organizuar protesta masive, Brenda dhe jashtë kuvendit.
Ambasadori amerikan, në një prononcim për media, lëvdoi kryeministrin e Kosovës që e ka kuptuar emergjencën që kërkon momenti dhe tregoi se si Albin Kurti i ka pranuar marrëveshjet në tërësinë e tyre, përfshirë draftin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke dhënë garanci se drafti i propozuar nga Bashkimi Evropian është i mirë dhe brenda Kushtetutës së Kosovës.
Diplomatit amerikan nuk i ka pëlqyer që ka shumë njerëz që po e diskutojnë draftin e statutit kur ai ende nuk është bërë public.
Duke folur për pamundësinë e leximit të draftit, Hovenier tha se “s’ka asgjë sekrete, por negociatat diplomatike dhe angazhimi diplomatik shpesh është në këtë formë, që të vihet te një kuptueshmëri më e madhe mes palëve”.