Kosova
LVV del me video kundër Vuçiçit: Mos e provo po deshe
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka dalë me një video ku shpërfaq presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke deklaruar se ai s’do ta zbatojë marrëveshjen me Kosovën të dakorduar në Bruksel e Ohër.
Vetëvendosja thotë se deklaratat e tij për moszbatim, përshkruajnë qasjen e Serbisë karshi dialogut.
Po ashtu, Vetëvendosje thotë se mungesa e sanksionimit të Serbisë për sulmin agresor ndaj Kosovës tregon për hapin e radhës të Serbisë.
Në fund, theksohet se nëse grupet fashiste që strehohen në Serbi provojnë diçka, do ta marrin përgjigjen e njëjtë të para dy muajve.
“Serbia nuk është e interesuar për normalizim sepse nuk e duron barazinë me Republikën e Kosovës. Me 28 shkurt 2023 – Në Bruksel, Serbia gojarisht deklaroi se pajtohet me marrëveshjen por ikën nga nënshkrimi. Me 18 mars 2023 – Në Ohër, Serbia sërish deklarohet se pajtohet, por ikën nga nënshkrimi. Serbia pavarësisht dakordimit, urdhëron subjektet serbe të mos marrin pjesë në zgjedhjet në komunat e veriut të Republikës së Kosovës çka përbën shkelje të marrëveshjes. Serbia lobon dhe voton kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës çka përbën shkelje të marrëveshjes.
Me 24 shtator 2023 përmes sulmit terrorist organizuar, financuar dhe mbështetur nga shteti i Serbisë tentohet aneksimi i pjesë së veriut të Republikë së Kosovës, që përveçse shkel direkt marrëveshjen paraqet edhe agresion ndaj vendit tonë. Me 26 tetor 2023 – Në Bruksel, Serbia sërish ikën nga nënshkrimi. Është evidente që Serbia nuk do marrëveshje sepse ajo nuk është e interesuar për normalizim me Republikën e Kosovës. Prandaj, ajo vazhdimisht ikën nga nënshkrimi” – thuhet në videon e shpërndarë nga Levizja Vetevendosje.