Kosova
LVV mbulon me mjegull Çitakun/ Nënkryetarja e PDK: Përpjekje qesharake…
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj pretendimeve të Lëvizjes Vetëvendosja, se ajo duhet të sqarohet për foton e saj me Charles McGonigal, ish-zyrtarin e lartë të kundërzbulimit në FBI, i cili u arrestua pasi dyshohet se ka marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për lidhjet e tij me zyrtarë të tjerë në Shqipëri.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi ka kërkuar që Çitaku të tregoi për “lidhjet” me McGonigal. Ai publikoi disa fotografi në Facebook, ku Nënkryetarja e PDK-së pozon me praninë e ish agjentit të FBI.
Çitaku, duke sqaruar, ka treguar për nderin që i është bërë Kosovës me këtë event të vitit 2017, kur ajo ishte ambasadore në SHBA.
“Një përpjekje qesharake e eksponentëve të LVV-së për të shpërndarë mjegull. Me 4 Tetor 2017 jam ftuar zyrtarisht të flas para oficerëve dhe kadetëve të FBI për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve në luftimin e sfidave rajonale dhe globale. Folës kemi qenë unë dhe ish sekretari amerikan I shtetit, ikona e diplomacies, Henry Kissinger” – ka shkruar Çitaku.