Politike
Macron e quan Ramën “zë të çmuar” në dialogun Kosovë-Serbi
Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka etiketuar si një “zë të çmuar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë” kryeministrin shqiptar, Edi Rama, duke evidentuar rolin konstruktiv që ky i fundit ka luajtur në proces.
Komentin Macron e bëri gjatë një pritje të zhvilluar në nder të kryeministrit Rama në Paris, në pallatin presidencial të Elysee-së, ku të dy mbajtën edhe një konferencë për shtyp, të përqendruar në bashkëpunimin dypalësh dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, pa lënë pas rolin e Tiranës në politikat rajonale.
“Franca është e angazhuar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Këtu bëhet fjalë për ta bërë Evropën më të fortë dhe më sovrane në kontekstin e luftës në Ukrainë. Është një premtim paqeje për gjithë rajonin”, theksoi Macron.
Ai gjithashtu vlerësoi maksimalisht rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit, duke thënë se madje “e admiron avancimin e bërë”.
“Sa shumë e admiroj rrugën që ka bërë vendi juaj, për miqësinë, për ndjenjat shumë të thella evropiane. Do thoja ndoshta edhe më shumë se evropiane. Ne i kushtojmë rendësi kësaj, jeni ju, jemi ne, marrëdhëniet tona janë të veçanta dhe kjo falë punës së përbashkët” – theksoi presidenti francez
Duke iu referuar edhe vizitës së tij të mëparshme në Shqipëri, Macron theksoi se lidhjet mes Tiranës dhe Parisit po forcohen dita ditës dhe se Franca është e vendosur për të bërë më shumë për Ballkanin Perëndimor.
Ai po ashtu përshëndeti zërin e fortë të Shqipërisë në rajon dhe në arenën ndërkombëtare.
“Kështu ka qenë dy vite kur ju mbanit postin në Këshillin e Sigurimit. Në të gjitha çështjet rajonale është i nevojshme normalizim i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës” – deklaroi Emanuel Macron