Connect with us

Kosova

Macroni në Beograd mes kritikave për kontratën multimiliardëshe me Serbinë për avionët luftarakë Rafale

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron filloi vizitën dy-ditore në Beograd, ku synon të finalizojë marrëveshjen për shitjen e 12 avionëve luftarakë “Rafale” në vlerë prej rreth 3 miliardë eurosh. Kjo është vizita e dytë e tij në Serbi në pesë vjetët e fundit, ndërsa dy shtetet forcojnë raportet posaçërisht në fushën e ekonomisë.

Kjo eshte kontrata më e madhe e armëve në historinë e Serbisëmoderne, por shumë pikëpyetje janë ngritur për shkak të kontekstit gjeopolitik dhe tensioneve rajonale.

Në një artikull të prestigjozes franceze “Le Monde” u përmend konteksti i marrëdhënieve të tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë që kanë arritur në nivele shpërthyese vitet e fundit.

Duke qenë se blerja e aeroplanëve të sofistikuar luftarakë, vjen në kohën e tensioneve midis Prishtinës e Beogradit, gazeta e njohur franceze ka ngritur dilemën se deri në çfarë mase është e gatshme Franca të garantojë që “Rafale”-t s’do të përdoren kundër fqinjëve, veçanërisht kundër Kosovës.

“Eksporti i ‘Rafale’-ëve në Serbinë e njohur për afërsinë e saj me Rusinë dhe synimet luftarake ndaj fqinjëve ballkanikë, ngre shumë pikëpyetje. Në çfarë mënyrë synon Franca të garantojë që ‘Rafale’-t nuk do të transportohen në Rusi ose nuk do të përdoren për të ushtruar presion mbi Kosovën, pavarësinë e së cilës Beogradi ende nuk e njeh?”- ka shkruar “Le Monde”.

Gjithashtu, gazeta javore franceze “La Tribune” ka shkruar se marrëveshja për “Rafale”-t mbart implikime gjeopolitike, veçanërisht në rajonin e trazuar të Ballkanit Perëndimor të rrethuar nga armiqësitë etnike

“Ky kontekst i gjerë diplomatik i shton peshë marrëveshjes për avionët luftarakë, duke reflektuar interesat strategjike të Francës në rajon”- ka shkruar “La Tribune”.

Kurse rrjeti shtetëror “Radio France Internationale” ka përmendur procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

“Franca vazhdimisht ka shmangur adresimin e këtyre shqetësimeve ndërsa ka mbrojtur Serbinë rreth përshkallëzimit të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht nga serbët që refuzojnë sovranitetin e Kosovës” – shkruhet ne artikull.

Megjithatë, shumë media të huaja kanë raportuar se shitja e “Rafale”-ëve, që vlerësohen si “maja e shtizës” së eksportit të industrisë franceze të mbrojtjes, nuk do të ndodh pa u zgjidhur disa çështje, përfshirë marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Ndër kushtet e kërkuara, presidenti i Francës, në prill të këtij viti, raportohet të ketë përmendur edhe nevojën për ta njohur Kosovën.

Advertisement