Bota
Makina godet të voglin e tufës, elefantët e mëdhenj shkelin me këmbë automjetin
Një tufë elefantësh të egër në Malajzi shkelën një makinë që udhëtonte përgjatë një autostrade pasi ajo goditi një elefant të vogël në grupin e tyre, thanë autoritetet lokale të hënën.
Makina, një Perodua Axia e bardhë, drejtohej nga një 48-vjeçar, së bashku me gruan dhe djalin e tij, 23 vjeç, sipas një deklarate të lëshuar nga policia në Gerik, në Gadishullin Malay. Familja prej tre anëtarësh po lëvizte në një autostradë kryesore nga ishulli Penang në shtetin bregdetar verilindor të Terengganu kur u përplas me elefantin e vogël.
Mediat e huaja, të cilat citojnë autoritetet lokale, thonë se makina ishte duke marrë një kthesë të fortë kur u përplas me më të voglin e tufës. Duke parë si elefanti i vogël u shemb në tokë, pjesa tjetër e tufës e përbërë me pesë elefantë sulmuan makinën duke e shkelur me këmbë atë.
Policia e Gerikut nuk ka specifikuar nëse tre anëtarët e familjes kanë qenë brenda makinës gjatë ngjarjes, por në njoftimin e policisë nuk raportohet për të vdekur apo lëndime të rënda. Fotot e ofruara treguan dëmtime të mëdha në pjesën e përparme dhe anësore të automjetit të bardhë, me dyert anësore të zbrazura. Të gjitha xhamat gjithashtu u thyen.
Si rezultat i zhvillimit të shpejtë të autostradave të Malajzisë, elefantët e egër në të gjithë gadishullin kanë humbur sasi të mëdha të mbulesës pyjore, duke detyruar shumë prej tyre të dalin në rrugë për të gjetur ushqim, thonë konservatorët.
Në aksidentin e fundit, policia e Gerikut paralajmëroi drejtuesit e mjeteve që të tregojnë më shumë kujdes në autostrada pasi tufa elefantësh enden rregullisht në zonë. Tabelat që paralajmërojnë drejtuesit e kalimeve të elefantëve janë vendosur gjithashtu përgjatë shumë autostradave, veçanërisht në veri të vendit, por ende vijojnë të ndodhin aksidente.