Connect with us

Rajon

Mali i Zi shkeli Serbinë, Vuçiç kërkon hakmarrje për njohjen e pavarësisë së Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka theksuar se në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë që do të mbahet javën e ardhshme, do ta marrë vesh se kush janë në të vërtetë miqtë e Serbisë.

Kreu i shtetit serb gjithashtu ka kritikuar Malin e Zi për vendimin e tij për ta mbështetur Rezolutën, por edhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Të gjithë ata që nuk votojnë apo abstenojnë janë miq, do të festojmë dhe mbrojmë flamujt e tyre, por edhe do të kemi marrëdhënie korrekte me të tjerët. Serbia nuk e cenoi integritetin territorial të Malit të Zi, por Mali i Zi e shkeli Serbinë”- tha Vuçiç gjatë një interviste në mediumin serb TV Pink.

Kujtojmë se Mali i Zi është vendi i fundit që është shkëputur nga Jugosllavia, dhe kjo jo më larg se në vitin 2006. Lëvizjen për shkëputjen nga Jugosllavia e kishte udhëhequr ish-presidenti malazez, Milo Gjukanoviç.

Kur Kosova shpalli pavarësinë e saj, me 17 shkurt të vitit 2008, Mali i Zi vetëm disa muaj më pas, saktësisht me 9 tetor 2008, e njohu pavarësinë e saj.

Njohja nga Mali i Zi për Kosovën ishte mjaft e rëndësishme, pasi një vend fqinje po pajtohej me mëvetësinë e saj, vendi i 49 që e kishte njohur pavarësinë e Kosovës.

Advertisement