Kosova
Mali i Zi tërheq njohjen e Kosovës/ Ndikimi serbo-rus në Podgoricë
Forcat pro-ruse dhe pro-serbe në Kuvendin Komunal të Zetës në Mal të Zi kanë iniciuar një deklaratë ku i kërkohet kësaj Komune që të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kërkesa është iniciuar nga grupi i asamblistëve “Për të ardhmen e Zetës”, i drejtuar nga Fronti Demokratik, i mbështetur edhe nga Partia Popullore Demokratike, të dy forca pro-serbe dhe pro-ruse.
Sipas kësaj partie, kërkesa do të shqyrtohet në seancën e radhës të Kuvendit Komunal të Zetës, ndërsa iniciuesit shprehen të bindur se ajo do të kalojë. Miratimi i mundshëm do të çonte në një situatë qesharake ku Komuna kundërshton vendimin e shtetit.
Partia Popullore Demokratike e Malit të Zi shprehet se njohja e pavarësisë së Kosovës “është në kundërshtim me interesat kombëtare të Malit të Zi dhe shumicës së qytetarëve të tij”, sipas tyre, kjo është “një politike e jashtme tradhtare dhe e drejtuar kundër interesave të Malit të Zi dhe shtetit më të afërt në rajon, Serbisë”.
Nga kjo parti thonë se pasi Komuna e Zetës të miratojë këtë deklaratë, duhet që të njëjtën ta miratojnë edhe komunat e tjera e kështu sipas tyre “të fillojë procesi i kthimit të Malit të Zi në burimet e tij historike e shpirtërore” nga Serbia.