Connect with us

Politike

Mandati i Xhaçkës/ Nikolla i përgjigjet opozitës: Kërkesa është objekt i organeve të tjera të Kuvendit

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i ka kthyer përgjigje kreut të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi kërkesës për përfshirjen e diskutimit të mandatit të Olta Xhaçkës në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.

Nikolla në letër thekson se kërkesa është objekt i organeve të tjera të Kuvendit, jo i Konferencës së Kryetarëve.

Letra e Nikollës:

I nderuar zoti Bardhi,

Në përgjigje të shkresës suaj, nr.1090 prot, datë 25.3.2024, me anë të së cilës kërkohet thirrja e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve me rend dite: “Përfshirjen për shqyrtim në seancën më të afërt plenare të zbatimit të vendimit nr. 1/2023 të Gjykatës Kushtetuese, duke urdhëruar dërgimin e çështjes së mandatit të deputetes Olta Xhaçka për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese”, ju bëj me dije se:

Këshilli për Legjislacionin, në zbatim të nenit 14 të Rregullores së Kuvendit, ka marrë në shqyrtim vendimet nr. 1 dhe nr. 2, datë 23.1.2023, të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e deputetes Olta Xhaçka.

Këshilli për Legjislacionin në përfundim të diskutimeve për shqyrtimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, në raportin tij ia adreson çështjen për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Në bazë të nenit 13 të Rregullores së Kuvendit, si dhe të raportit të Këshillit për Legjislacionin, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do ta marrë në shqyrtim raportin dhe në bazë të pikës 7 të këtij neni, pas përfundimit të diskutimeve, Këshilli i paraqet Kryetarit raportin, i cili përmban të gjitha qëndrimet për çështjen. Raporti i përcillet seancës plenare brenda dy javëve nga përfundimi i shqyrtimit të çështjes.

Sa më lart, në respektim të Rregullores së Kuvendit, kërkesa që ju parashtroni është objekt i organeve të tjera të Kuvendit dhe jo i Konferencës së Kryetarëve.
Duke ju falënderuar për mirëkuptimin.

Advertisement