Politike
Mandati në pikëpyetje? Kandidati i listës së mbyllur kërkon të bëhet deputet, Lapaj: Do e takoj ‘sy më sy’!

Mandati i vetëm i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” po vihet në pikëpyetje. Në nënshkrimin e marrëveshjes që dy partitë “Shqipëria Bëhet” dhe “Nisma Thurje” nënshkruan para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, palët ranë dakord se mandatet do i merrnin kandidatët më me shumë vota që do të ishin të vendosur në listën e hapur. Por tashmë kanë nisur “konfrontimet” pasi rrezikohet që ky akord mund të mos zbatohet. Kjo pasi kandidati i Nismës Thurje në listën e mbyllur në Tiranë, Zeqir Kordhoni ka depozituar në KQZ kërkesën për t’u njohur me letrën e dorëhqjes që koalicioni ka dorëzuar në emër të tij para zgjedhjeve të 11 majit.
“Unë, Zeqir Kordhoni jam deputet i partisë “Nisma Shqipëria Bëhet”. Kam mësuar se partia “Shqipëria Bëhet” ka dërguar një letër dorëheqje në emrin tim. Dua të kërkoj një kopje të kësaj letre,”-shkruan Kordhoni në letrën e tij.
Kordhoni, i cili është familjari i Endri Shabanit. Në një shkresë depozituar në KQZ, kandidati që në CV e tij deklaruar se ka qenë punëtor ndërtimi, por që trajtohet me KEMP. Ai si shumë familjarë të tjerë u vendosën në listat e mbyllura, si “garanci” që të linin mandatet dhe më pas të vendoseshin kandidatët që merrnin më shumë vota në listën e hapur. Por Kordhoni në deklaratat e tij për mediat është shprehur se i është drejtuar KQZ për të verifikuar se çfarë ka firmosur pasi nuk mban mend të hedhur firmën mbi një dokument që të lërë mandatit e fituar në zgjedhje. Sipas tij, pasi të njihet me dokumentacionin e dorëzuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të ulet për të diskutuar me dy drejtuesit e koalicionit Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani. Kjo sepse pretendon se nuk ka rënë dakord që të linte mandatin e tij në rast se do të fitonte.
Në një intervistë për “ReportTV”, Lapaj tha se Kordhoni është kandidat nga “Nisma Thurrje” e Endri Shabanit, me të cilin nuk ka asnjë krisje dhe ky formacion politik vijon të jetë i bashkuar.
“Në këtë betejë kemi hyrë për parimet dhe kemi sjellë një model tjetër. Kemi ndjekur këtë rrugë për të kundërshtuar Kodin Elektoral të famshëm nëpërmjet dorëheqjeve dhe kandiduam në listat e hapura. Zoti Kordhoni është pjesë e listave, te lista e mbyllur u futën familjarë. Do e takoj pa problem fare, sy më sy, janë familjarë tanë, në dijeninë time kanë bërë dorëheqjen. Nuk kam pasur informacion fare për Kordhonin, ai është kandidat i Nismës Thurrje. Mos e keni merak, unë jam në terren. Ne jemi më të fortë dhe më të vendosur se më parë. Çdo qasje e pushtetit për të na penguar nuk funksionon. Nuk rrezikohet mandati im. Zoti Kordhoni është shumë poshtë listës, nuk ekziston ajo. Ai ëhstë pjesë e listës së Shabanit. Unë jam në mirëbesim në këtë rast, nëse dikush e trajton ndryshe do marri përgjigjen si shërbëtor i shtetit. Me zotin Shabani nuk kemi probleme. Nuk më kthejnë dot pas as me shantazhe, kërcënime e ndërhyrje. Në koalicionin tonë gjithçka shkon mirë, nuk ka krisje,”-tha Lapaj.
Në Tiranë, fituese e mandatit të NSHB në Tiranë aktualisht është Ana Dajko, ndërsa më i votuari nga lista e hapur është Adriatik Lapaj. Ndaj sipas marrëveshjes, duhet që Dajko dhe të gjithë të tjerët të lënë mandatin që në Kuvend të futet Lapaj, por Zeqir Kordhoni, i renditur i 9-ti në listën e Tiranës duket se ka plane të tjera. Vendimin tashmë do ta marrë KQZ, por për qarkun e Tiranës, mandatet ende nuk janë ndarë pasi Partia Demokratike ka vendosur që të ankimojë procesin në Kolegjin Zgjedhor.
Debati mes dyshes Lapaj-Shabani ka nisur pak kohë më parë. Lapaj duket se nuk është mjaftuar me koalicionin. Në studion e “Debat” me gazetaren Alba Alishani, Lapaj zbuloi se forca politike që ai drejton mund të shkrihet në një parti të vetme me partnerin e koalicionit parazgjedhor, “Nisma Thurje”. Por, kjo deklaratë e kreut të Shqipëria Bëhet, Adratik Lapaj, duket se nuk bie dakort me parimet e aleatit të tij, Shabanit.

