Kosova
Manipulime në zgjedhjet e Kosovës? LVV akuzon LDK-në pas numërimit të votave të Diasporës

Rezultati nga numërimi i votave të diasporës me postë, ku Lidhja Demokratike e Kosovës mori 30.55% të tyre, bëri që Lëvizja Vetëvendosje ta akuzonte këtë parti për manipulim.
Sipas anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Ramës, rritja e votave të LDK-së është artificiale, pasi nga votimi i diasporës në përfaqësi diplomatike, kjo parti mori vetëm 7.30% të votave.
Lëvizja Vetëvendosje thotë se manipulimi vërehet në mijëra fletëvotime ku ka votë për kandidatit për deputetë nga radhët e LDK-së, Hysen Çekajn dhe disa kandidatëve të tjerë.
LVV pretendon se në këto fletëvotime ka një shabllon të votimit, pra që janë votuar deputetët e njëjtë dhe thotë se u kurdis nga një grup i organizuar për çka ka njoftuar edhe policinë dhe prokurorinë e shtetit.
Hysen Çekaj i është përgjigjur akuzave të Lëvizjes Vetëvendosje duke thënë që kjo parti po tenton të njollosë emrin e tij pas refuzimit për të garuar në listën e tyre.
“Ata që më kërkuan të isha pjesë e listës së tyre si kandidat për deputet (kërkesë që e refuzova, sepse unë kam lindur në LDK), sot janë organizuar me të gjitha mjetet për të baltosur emrin e familjes Çekaj dhe votën e mërgatës shqiptare”, shkruan Çekaj.
Për këtë çështje, institucionet përkatëse nuk kanë nxjerrë ndonjë vendim.
Megjithatë, pas ankesës së një kandidateje për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për keqpërdorime gjatë numërimit, votat e kësaj partie në komunën e Vushtrrisë do të shkojnë në rinumërim, proces ky që pritet të nis të enjten.
Nga votat e diasporës me postë, Lëvizja Vetëvendosje mori 51.57%, pasuar nga LDK me 30.55%. Partia Demokratike e Kosovës mori 9.48% dhe Koalicioni AAK-NISMA 3.23%.

