Bota
Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria u bashkohen sanksioneve të BE-së kundër Bjellorusisë
Shtatë vende evropiane që nuk janë anëtare të BE-së, janë rreshtuar me BE-në, në sanksionet e vendosura ndaj Bjellorusisë, si përgjigje ndaj goditjes brutale të protestave pro-demokracisë, të shkaktuara nga zgjedhjet e diskutueshme presidenciale në gusht.
Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, në një deklaratë më 20 nëntor, tha se shtatë vendet përfshijnë kandidatët e BE-së: Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Shqipërinë, si dhe Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Ukrainën.
Alyaksandr Lukashenka, i cili ka qeverisur Bjellorusinë për 26 vjet, është përballur pothuajse çdo ditë me protesta, në të cilat kërkohej dorëheqja e tij, që nga zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit, për të cilat opozita thotë se ishin të manipuluara dhe shtetet perëndimore kanë refuzuar t’i pranojnë.
Disa protestues janë vrarë dhe mijëra njerëz janë arrestuar që kur autoritetet shpallën Lukashenkën fitues të zgjedhjeve.
Ka pasur, gjithashtu, raportime të besueshme për ushtrim të torturës nga regjimi që synonte shtypjen e protestave.
Shumica e udhëheqësve të opozitës së vendit janë arrestuar ose janë detyruar të largohen nga vendi.