Sport
Marku para ndeshjes me Moran: Nuk ka boksier më të mirë se unë në botë
Florian Marku rikthehet në ring pas 373 ditësh, për të kërkuar fitoren e radhës ndaj irlandezit Dylan Moran.
Boksieri kuqezi do të zhvillojë në Manchester sfidën e 14-të në boksin profesionist, me besimin se do të vijojë të ruajë statusin si i pathyeshëm.
Pas një dëmtimi që e la jashtë ringut për më shumë se 12 muaj Marku është rikthyer i gatshëm për të arritur një tjetër sukses.
Për “SuperSport”, Marku tregon se kundërshtari që ka përballë ka shprehur dëshirën që të boksojë me të prej shumë kohësh.
“Mezi e kam pritur këtë ndeshje, u bë gati 1 vit që jam jashtë ringut që nga ndeshja në Tiranë. Kam qenë i dëmtuar dhe rikuperimi ka zgjatur shumë kohë. Irlandezi që kam përballë më ka dërguar një mesazh para 2 vitesh në rrjetet sociale. ‘Florian mezi pres të ndeshemi bashkë, e meritoj të ndeshemi bashkë’. Tre muaj më parë menaxheri më mori dhe më tha që kemi ndeshje me këtë kundërshtar. Pasi i pash profilin dhe mesazhet, jam i gëzuar është një kundërshtar i mirë. Është stërvitur me Mc Gregor, e ka mik. Nuk e di nëse do të vijë për ta ndjekur, por kushdo të vijë do jemi unë përballë tij në ring e do i tregoj se sa i përgatitur jam.”
30-vjeçari është besimplotë se këtë ndeshje do ta mbyllë para kohe, pasi ai është i uritur më shumë se kurrë për të arritur fitoren.
“Do jetë një ndeshje shumë e fortë. Jam shumë i përgatitur dhe u garantoj se ai person nuk ka rastisur kurrë dikë në ring si unë, që e do kaq shumë fitoren e do ta shohë. Mbi gjithçka është fitorja, po jam shumë gati dhe nuk besoj se kundërshtari do të rezistojë dot gjithë ato raunde në ring. Duart i kam mirë, jam i shëndetshëm, pa dëmtime siç kam pasur në disa ndeshje, mezi pres të shtunën, ndeshja do të flasë vetë, do e shikoni.”
Marku ka vetëm një mesazh për irlandezin, të cilin e pret të shtunën në ring me çdo kusht.
“Mesazhi që do i nis: Të lutem shpresoj që të vish të shtunën, uroj mos të kesh ndonjë problem, dëmtime, sëmundje, temperaturë. Uroj të vijë në ring të shtunën e gjërat e tjera do ja them në ring.”
Lushnjari beson shumë se së shpejti ai do të arrijë të garojë për një titull kampion bote, për të bërë krenar të gjithë shqiptarët.
“Një titull të madh botëror. Me ndihmën e zotit do të ndodhë, pasi nuk ka boksier në botë që të jetë më i mirë se unë, nëse jam i shëndetshëm dhe duart i kam mire të shtunën e në vijim, kryesorja është e shtuna e pastaj do flasim për më tej.”
Sfida mes Florina Markut dhe Dylan Moran do të zhvillohet të shtunën më datë 2 shtator.